Ballina Kronika Skemë mashtrimi me barnat e rimbursueshme: Prokuroria firmos 8 masa sigurie ndaj...

Skemë mashtrimi me barnat e rimbursueshme: Prokuroria firmos 8 masa sigurie ndaj administratorit të “CFO Pharma” dhe zyrtarëve të FSDKSH

96
0

Prokuroria e Tiranës firmosi 8 masa sigurie për administratorin e CFO Pharma e punonjës të FSDKSH.

Të dyshuar për “Falsifikim të Dokumenteve” dhe “Fshehje e të ardhurave” janë Alba Zylfo, Jona Berberi, Lorela Ballabani, Spartak Zekja, Frigul Milla, Zade Mali, Romina Agalliu dhe Esjana Gjishti.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.4472, të vitit 2025, të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë, rezultoi se personi nën hetim, shtetasi F.M., administrator i subjektit “CFO Pharma”, me veprimet e tij, ka përdorur dy subjektet “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” dhe administratorët e tyre për qëllime përfitimi, duke paraqitur të dhëna të rreme sikur ka blerë nga këto subjekte medikamente të cilat “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus”, i kanë krijuar në gjendjet e tyre të inventarit në sistemin “edepo” duke falsifikuar inventarin respektiv si dhe faturat e blerjes. Këto veprime kanë lejuar të dy këto subjekte të kenë aftësi për shitjen e medikamenteve “Foster” dhe “Trimbow” te subjekti “CFO Pharma”.

Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit I.Sh., administrator i subjektit “Medicamenta”, që është importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për rimbursimin e disa barnave. Ai kallëzoi se është në dijeni të faktit se subjekti “CFO Pharma” dhe subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” në bashkëpunim me nëpunës publikë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore kryejnë veprimtari të kundërligjshme që konsiston në veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së produkteve “Foster” dhe “Trimbow” dhe si rrjedhojë e këtyre veprimeve/inventarëve fiktivë përfitojnë nga FSDKSH fonde rimbursimi në shuma të konsiderueshme monetare.

Nga të dhënat e publikuara nga Fondi për konsumin e barnave, të dhënat e kallëzuesit të import-it dhe shitjeve, por veçanërisht nga të dhënat në Drejtorinë e Statistikës pranë Fondit, u konstatua një skemë e organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha. Në qendër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” në bashkëpunim me zyrtarë të FSDKSH.

Shpërndarësit “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë shpërndarës të themeluar de fakto nga pronari i “CFO Pharma”, të cilët kanë lidhur kontratë me FSDKSH ku kanë deklaruar shifra fiktive të gjendjes fillestare të inventarit, me qëllim shitjet më pas fiktive në “CFO Pharma” e më pas në farmaci.

Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimbow” në vlerë 10 milionë lekë të reja, pa asnjë blerje.

Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimbow”, në vlerë 60 milionë lekë, pa asnjë blerje.

Fakti i miratimit të këtyre inventareve fiktive si dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të FSDKSH tregon qartë përfshirjen e zyrtarëve të Fondit si pjesë e kësaj skeme. Shitjet fiktive të “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë bërë drejt “CFO Pharma” e cila ka lëshuar fatura fiktive drejt disa farmacive.

Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore të kryera deri më tani në funksion të këtij procedimi penal, ka dyshime që shtetasi S.Z., Drejtor i FSDKSH, ka konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Konkretisht, personi nën hetim në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit ka nënshkruar Kontratë “Për Qarkullimin e Barnave të Listës së Barnave që rimbursohen nga Shpërndarësi Farmaceutik”, ndërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Shpërndarësit Farmaceutik “Pharma Plus”.

Po kështu, edhe punonjëset e FSDKSH, shtetaset R.A., Z.M. dhe E.Gj., kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal. Këto shtetase duhet të kontrollonin fizikisht medikamentet që kishte përshkruar në listën e inventarit administratorja e subjektit “Nedix Albania”, e hetuara L.B.. Nga kontrolli i kryer dhe verifikimi i medikamenteve në magazinën e “Nedix Albania”, këto shtetase kanë evidentuar sipas tyre se në magazinën e subjektit ndodhej sasia prej 4.000 kuti medikament i llojit “Foster”.