Bulevard news*
Sanie Hoti ka pasur fatin të jetë aktore edhe në teatrin e Durrësit edhe në teatrin e kukullave. Ndërsa gjeti një terren shumë të ngrohtë edhe fal tabuve të thyera nga aktoret e mëparshme, Hoti u bë një nga emrat më në zë pasi rolet e saj, përgjithësisht komike, i shkonin shumë përshtat problematikave të mëdha të kohës. Aktorja është ngjitur në skenë dhe ka lozur role kryesore në krah të emrave të mëdhenj me peshë kombëtare. Trupa “Aleksandër Moisiu” ishte në kulmin e vet në kohën që Sanie Hoti do të guxojë të ngjesë shkallët e drunjta për t’u ngjitur në skenën e teatrit të Durrësit. Por në fare pak kohë, në saj edhe të roleve pikante, do të krijojë fizionomi të qartë, të plotë dhe të adhuruar. Aktorja Hoti vinte nga auditoret e Institutit të Lartë të Arteve, ndërkohë që vet ajo ka thënë se teatri kukullave, përgatitjet, pjesët, rolet, provat dhe bashkëpunimi për shfaqje ishte një shkollë më vete, me shumë të papritura dhe me emocione pa fund. Hoti ka pasur fatin e mirë se prindërit e saj, edhe pse kishin shumë fëmijë, që në fëmijërinë e hershme të hershme, bënë të gjitha përpjekjet për t’ia hapur dyert e shkollimit duke e mbështetur në prirjen e saj për t’u bërë aktore. Më pas këtë mbështetje e gjeti tek aktorët, regjisorët, krijuesit, publiku. Për shkak të interpretimeve është vlerësuar me disa çmime si aktorja më e mirë e festivalit, ndërkohë që rolet e shërbyeses dhe vajtojcës në disa komedi i ka “qarë”, siç shprehen aktorë e regjisorë të teatrit në Durrës, apo edhe aktorë të mëdhenj shqiptarë me të cilët ka bashkinterpretuar aktorja Hoti.
Fillesat
Sanie Hoti fillesat e saj për t’u bërë më pas emër me zë në skenën e teatrit të Durrësit i mori në moshë fare të vogël dhe vetëm në saj të shtysës së dhënë nga prindërit. Hoti a,b,c e gjuhës e mësoi në vendlindje, në Qerret të Durrësit, fshat periferik me shumë halle e vështirësi ekonomike, por që në familjen e saj ishin edhe më të mëdha pasi prindërit kishin shumë fëmijë.Qerreti nuk kishte shkollë të mesme. Që e vogël u aktivizua në koncerte dhe shpesh edhe si konferenciere e trupave amatore, ndërsa recitonte,këndonte dhe kërcente shumë mirë. Për çdo familje ishte e vështirë mbijetesa ekonomike, ndërsa më familjen e saj me 4 djem dhe 6 vajza dyfishohej mbijetesa e prindërve të cilët punonin në kooperativë bujqësore. Ishte koha kur fshatit i hoqën lopën e delen, pulën dhe kopshtin, vezën e qumështin, kështu që sakrificat do të ishin krejt të pamundura të numëroheshin. Megjithatë prindërit e kishin në dritë të syrit dëshirën për shkollimin e fëmijëve. Arsimin e mesëm në kulturë Sania e mori në Tiranë në vitet 1975 dhe atë të lartë në Institutin e Arteve, dega dramaturgji. Në shtëpinë e saj në fshat, Hoti do të vinte dy herë në vit, një herë me rastin e Vitit të ri dhe një herë në përfundim të shkollës. Gjatë gjithë viteve të shkollimit të mesëm e të lartë ajo dhe bashkëmoshataret nuk prisnin asnjë ndihmë financiare nga prindërit pasi e dinin më së miri se në ç’gjendje jetonte familja. Kështu së bashku ndanin një panine, një hurmë apo edhe një latë ushqimi dy studentë, si mundësia e vetme për të kursyer. Duheshin lekë për libra dhe për t’u veshur, kështu dy shoqë blinin një latë ushqimi dhe hanin në të njëjjtën pjatë me dy lugë. Këto e të tjera episode të përjetuara i ndan shpesh sidomos me pedagogen Ermira Gjata me të cilën ndante më së shumti ushqimin e përditshëm. As më pak e as më shumë, me të tilla vështirësi janë rritur dhe janë arsimuar edhe bashkëmoshatarët e saj: Karafil Shena, Dallëndyshe Satka, Spartak Myslymi, apo vitet e studimeve të larta me Ermira Gjata, Ilirian Alia, Vasian Lami, Viktor Çaro, Zhuljeta Hajnaj, Shqipe Malaj… Ndërsa këto kujtime i sjellin jo pak emocione për atë që kanë përjetuar ato vite, nga ana tjetër çmojnë pa masë sakrificën e prindërve. Ashtu si dhe aktorë të tjerë, personazhe në gazetën “Bulevard” edhe Hoti pohon të njëjtën gjë “Kishim pedagog të mrekullueshëm të cilët na dhanë mundësinë të kishim në dorën tonë fatin e mbarë të jetës” dhe konkretisht sjell ndërmend emrat e pedagogëve Sandër Prosi, Vera Zheji, Birçe Hasko, Gëzim Kame, Timo Flloko…Me të përfunduar studimet emërohet aktore në teatrin “A. Moisiu” në Durrës.
Teatri
Sani Hoti pati dy përvoja që nuk është se kanë pasur mundësi t’i përjetojë çdonjëri aktor dhe konkretisht qe aktore në teatrin profesionist dhe në teatrin e kukullave. Tek interpretimi për të vegjlit kaloi në vitin 1983, 5 vite pasi kishte bërë karrierë të suksesshme në teatrin profesionist. Ishte një vendim i Ministrisë së Kulturës dhe asgjë nuk mund ta ndryshonte. Pasi kishte pasur fatin të lozte me të mëdhenjtë e teatrit, Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Spiro Urumi, Ali Bega, Marta Burda etj. tek teatri kukullave iu vu punës dhe arriti sukses së bashku me Dhurata Sefa, Mirjeta Selimi, Astrit Tepshi, Dhimitër Bleta. Hoti kujton se asnjëherë aktorëve të mëdhenj nuk u ka thërritur dot në emër për shkak të emocinionit ngase i quante të paarritshëm, të veçantë. Sa herë që do i duhej të komunikonte gjente mundësinë e u dilte para syve që vet aktorët t’i krijonin mundësinë të fliste, ndryshe përflakej në fytyrë dhe emocionet e detyronin “t’ia mbathte”. “Themeluesit e teatrit të Durrësit ishin aktorë që kishin kaluar kufijtë e çdo imagjinate për ne aktorët e rinj, por edhe për publikun. Ishte mrekulli për çdokënd që përshëndetej apo shtërngonte dorën me ta”,-kujton Sanie Hoti e cila do të bëhej shumë shpejt partnere dhe jo në një a dy pjesë, por në vazdhimësi dhe në role kryesore. Për të si aktore gjërat ishin më të lehta pasi ishte thyer akulli mentaliteteve të kohës dhe se nuk kishte më tabu. Para saj në skenë ishin ngjitur Vera Urumi, Marta Burda, Filika Ujka, Drita Nikolla, Mirjeta Selimi, Dhurata Sefa. Hoti nuk e fsheh se në teatrin e kukullave vështirësitë ishin më të mëdha pasi duheshin bërë të gjitha veprimet vet dhe njëherazi, duhej lëvizur kukulla, duhej interpretuar me zë dhe duhej ecur sa andej-këndej me dorën që qëndronte gjithë e ngritur dhe me shpatullën që therte nga lodhja e mprirja. Ato vite kishin aktivitete të ngjeshura, kujton aktorja Hoti, pasi bënin shfaqje me kukulla, me maska dhe bënin edhe aktoren direkt në skenë. Megjithatë pohon se kënaqësinë që e kanë marrë nga fëmijët, nuk e kanë gjetur tek të rriturit. Programet e ngjeshura nxisnin trupen të jepnin dy e tre shfaqje në ditë, para e pasdite në kopshte e në shkolla. Hoti i ka veçuar ato vite si periudhë e një eksperience të veçantë. Pas daljes në pension të Halit Vladit, drejtor në teatrin e kukullave emërohet Enver Plaku dhe Hoti merre përgjegjësinë tashmë jo vetëm të aktores, por edhe të regjisores.
Aktorja –Vajtojcë, shërbëtore…
Disa role kanë spikatur gjatë karrierës së saj në skenë, ndërsa aktoren Sanie Hoti më së shumti e ka djekur roli vajtojcës dhe shërbëtores. Për mbrojtjen e diplomës detyrimisht i duhej një rol. Atë kohë vihej në skenë shfaqja “Lidhja Prizrenit” me regji të Pjetër Gjokës dhe Lazer Filipit. Rolet ishin ndarë, por krahas tyre kishte edhe aktorë që do të dublonin kryesisht rolet kryesore. Njëra prej tyre u caktua edhe Sanie Hoti studente që priste të diplomohej. Asaj iu dha të dublonte rolin e shërbëtores që në skenë do të luhej nga Drita Nikolli, një aktore plot energji dhe me shumë autoritet. Vet Nikolli, duke dashur të nxisë e të mbështesë Hotin, e shtyn atë të dalë në skenë në provat përfundimtare. Ishte roli i parë i saj të cilin e mori me aq shumë seriozitet saqë ra në sy të të dy regjisorëve të cilët nuk mundën ta anashkalonin prezantimin e saj pa e shoqëruar me përshëndetje dhe përgëzime. Komisioni për diplomën kryesohej nga Esat Oktova, shefi katedrës dhe aktorja Hoti merr notën dhjetë dhe këtë vlerësim më së shumti ia dedikon aktores Nikolli që e mbështeti. Janë të shumta rolet e lozura nga aktorja. Nuk është se i ka numëruar por vetëm me teatrin e kukullave ka lozur më shumë se 40 të tilla. Çdo vit jepeshin 6-7 shfaqje të reja. Në morinë e tyre Hoti ka veçuar rolin e vajtojcës kosovare tek “Gërsheti i luftrave”; vajtojca tek “Hotel Ballkan” e Bashkim Hoxhës; e burgosura tek “Nemesis” dramë e D. Çuli, partnere me aktoren e madhe Tinka Kurti. Komedia “Ne të gjithë këndonim Margariten” të Bashkim Hoxhës i dha për herë të parë mundësinë të lozë me figurat më të mëdha të teatrit shqiptar si R. Ndrenika, R. Trebicka, G. Fuga, A. Derhemi, S. Konjari, E. Jani, H. Bashhysa. Në këtë komedi Hoti ishte në rolin e gjyqtares. Tixhja, gjyqtarja që në njërën dorë mbante çekiçin për të qëlluar gongun e senacës dhe me dorën tjetër hante byrekë në seancë gjyqësore, brenda në sallë. Skena të papërsëritshme komike, me humor e domethënie. “Për herë të parë m’u dha mundësia për të lozur me aktorët e mëdhenj dhe këtë mundësia ma dha Bashkim Hoxha, autori komedisë i cili më zgjodhi. Me këtë rast njoha veten time si aktore komike, gjë që duket se autori Hoxha e kishte pikasur shumë më parë sesa të merrte hapin për të më vendosur në rolin kryesor”,-shprehet aktorja e cila ka lozur në skenë të gjitha veprat e shkrimtarit Bashkim Hoxha të realizuara nga trupa e Durrësit dhe e Tiranës. Për aktoren bashkëpunimi me regjisorin Ervin Çuli dhe më pas me Driada Dervishi kanë qenë e mbeten eksperienca me shumë vlerë për të cilat Hoti thotë se vështirë që mund të përsëriten për nga dimensioni i vlerësimit dhe përkushtimit profesional. Me jo pak mbresa risjellë në kujtesë pjesët e lozura nga komedia “Nuk paguajmë” të D. Fo; “ Monolog” me gra me regji të D. Dervishit; “Udhëtim pa vizë i një alieni” të B. Hoxhës; komedia “Pas vdekjes” e Çajupit; “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Klani i të divorcuarve”,; Tri gra, tri divorce, tri shtëpi”; komedia “Stjuardesa” me rolin e shërbëtores; drama “Gërsheti luftrave” sërish vajtojcë; “Hotel Ballkan”…Teksa luante nën partneritet me R. Trebicën dhe R. Arbanën e kishte thuajse të pamundur të rezistonte edhe në prova pasi aktorët hidhin e prisnin aty për aty batuta aq të forta, saqë aktorët e tjerë nuk e përmbanin veten. Por këto episode kujtoheshin edhe në ditët e shfaqjeve, në një kohë që aktores Sanie Hoti i duhej që të kalonte nga salla plot publik për t’u ngjitur në skenë në rolin e saj. “Po të mbyti emocioni si aktor, ike dhe mua më është dashur shumë forcë që të mënjanoja batutat e forta të aktorëve me qëllim që të përmbaja veten, apo edhe impresionet e shkaktuara nga publiku”,-tregon Hoti. Ajo kujton se si në një rast ka qenë aktori Cen Bashhysa,që e ndiqte nga pas mes rreshtave të sallës së mbushur tej e tej me publik, i cili e shtyu para ngase aktorja ishte përfshirë nga emocionet e sallës së elektrizuar. “Kemi lozur edhe role të cilat nuk i kemi menduar se do të ndesheshim ndonjëherë në skenë”,-thotë Hoti. Konkretisht ajo kujton se si i është dashur të lozë rolin e Doktor Adhamudhit tek “Pas vdekjes” e Çajupit ngase regjisori Çuli kishte vendosur që personazhet meshkuj do të lozeshin nga aktore femra dhe personazhet femra nga aktorë meshkuj. Të tjerë aktorë në këtë këmedi kanë qenë Ralda Çaushi, Marvin Tafaj, Mimoza Marjanaku. Rolet e Sanie Hotit janë pritur mjaft mirë dhe kjo dëshmohet jo vetëm nga numri i madh i roleve apo besimi që kanë pasur tek aktorja autorë e regjisorë, por edhe vlerësimet. Një sërë emrash në zë të skenës, regjisorë e titullarë, dramaturgë e kolegë kanë vlerësuar aftësitë e veçanta aktoriale të Hotit. Gjatë festivalit kombëtar të zhvilluar në Gjilan të Kosovës, në një temperaturë minus 17 gradë, Sanie Hoti shpallet Aktorja më e mirë e festivalit. Lajmin e mësoi nga regjisori Ervin Çuli i cili i telefonon në mesnatë, pikërisht sapo juria shpalli emrat e aktorëve të më mirë dhe të trupave më të mira teatrore, ndërkohë që Hoti gjendej në shtëpinë e saj në Durrës. Në Gjilan trupa e Durrësit shkoi me komedinë “Pas vdekjes”. Pjesmarrës në konkurim kishte nga Prishtina, Shkodra, Shkupi, Teteova… Festivali zgjaste një javë, por shumë aktorë në pamundësi për të përballuar detyrimet financiare ndiqnin një pjesë të tyre. Kështu ndodhi edhe me aktoren Sanie Hoti e cila nuk pati mundësi të ishte në natën finale në Gjilan. Ajo, teksa kujton atë ngjarje, thotë se jo vetëm që nuk kishte dijeni se mund të nominohej si aktorja më e mirë, por as që i kishte shkuar në mendje një gjë e tillë. Një të tillë surprizë e kishte përjetuar edhe disa vite më parë teksa në Fier zhvillohej Festivali Aktrimit. Hoti kishte një pjesë nga Monologu D. Fo dhe festivali u zhvillua në vitin 2008. Monologu u pëlqye shumë, megjithatë Hoti nuk kishte marrë as sinjalin më të vogël se emri saj ishte lakuar mes antarëve të jurisë për shkak të paraqitjes mjaft të mirë aktoriale. Këtë herë aktorja ishte në salë kur juria ia lexoi emrin si më e mira aktore e festivalit. . Ajo ka pohuar se ka marrë shumë suksese, ndërsa i pëlqen ta veçojë edhe rolin e Rusdhies tek komedia “Udhëtimi pa vizë i një alieni” e B. Hoxhës. Në këtë rol ishte partner me Fatos Selën, dy pleq të cilëve u bie në mes të oborrit një alien. Shfaqja u dha në Durrës dhe në Tiranë dhe në të dy rastet është pritur shumë mirë. Ndërsa ka thënë se çdo gjë në skenë ia dedikon pedagogëve, regjisorëve, aktorëve profesionist dhe bashkëaktorëve, Sanie Hoti ka pohuar se nuk do kishte as edhe më të voglën mundësi të gëzonte këtë emër nëse nuk do të ishte mbështetja e bashkëshortit. “Të gjithë këtë përvojë dhe këtë emër që më dha skena e publiku në Durrës, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Kosovë… e ndaj me plot gojën me bashkëshortin tim, Sabriun. Ai ka qenë krahu i djathtë për mua jo një a disa vite, por gjithë jetën, që ditën e parë që u njohëm bashkë”,-thotë aktorja. Më pas ajo bën të qartë se asnjë aktore nuk mund të ngjitet në skenë e as të luftojë për të bërë karrierë nëse nuk do të gjejë pikë së pari mbështetjen e familjes. Por aktorja Hoti shkon edhe më tek duke e cilësuar fat të veçnatë që jetoi në të njëjtën strehë me prindërit e bashkëshortit të cilët jo vetëm e ndihmuan në detyrimet familjare, por edhe i dhanë shtysë në karrierë. Ermali dhe Olta janë dy fëmijët e aktores, të rritur, të shkolluar dhe ecin nëjetë me këmbët e tyre në rrugën përgjithësisht të shtruar me mundin e vet, por edhe me ndihmën e prindërve sidomos të kujdesit të veçantë të mamasë aktore. Djali e vajza kanë përfunduar studimet e larta në Juridik dhe sa herë që vinë çastet për të kthyer kokën për të parë vitet e kaluara, ndajnë me prindërit dhe gjyshërit kujtimet më të mira.
Vlerësime
Haxhi Rama regjisor, Mjeshtër i madh
Aktorja Sanie Hoti tashmë pa dyshim hyn në grupin e veteraneve të teatrit “Aleksandër Moisiut”. Me një karrierë mbi 30-vjeçare, me realizime të shumta dhe kurorëzime të suksesshme. Në krijimtarinë artistike të aktores spikat së pari potenciali shpirtëror, qartësia dhe siguria e mendimit si dhe një vokal i ngrohtë e potent. Janë me dhjetra e dhjetra role të realizuara prej saj si në dramë ashtu edhe në komedi kombëtare dhe të huaj, apo në koncerte të fjalës artistike të cilat sot nuk mund të realizohen pa qenë në qendër të vëmendjes së tyre kjo aktore. Personaliteti i saj artistik ka patur një shkallëzim të vazdhueshëm që nga roli i parë e deri tek rolet e veçanta, duke kulmuar me çmime të para në festivale aktrimi në Fier apo në Kosovë, duke u bërë kështu një aktore e njohur dhe mjaft popullore. Autoriteti i saj artistik dhe qytetar më jep të drejtën të propozoj që aktores Sanie Hoti t’i jepet titulli medalje “Naim Frashëri i Artë”.
Aishe Stari, aktore, Mjeshtre e madhe e skenës
Bashkëpunimet e mia me aktoren Sanie Hoti janë të kahershme, ashtu siç janë dhe rolet e shumta në të cilat e kam ndjekur nga publiku. Ajo që më duhet të nënvizoj, si fillim, është dëshira, pasioni dhe përkushtimi me të cilin ajo punon të gjitha rolet që merr në dorë, qofshin këto role protagonistësh si Bihania “Dy vëllezër e gjysëm”, monologu i nënës, Tixhnja “Të gjithë këndonim Margariten”, Rusdhia “Alieni”, Dotor Adhamudhi “Pas vdekjes”, Hanibalin “Kush do bëhet milionarius”, apo edhe role të dyta si ai Margaritës te “Nuk paguajmë”, Rozalinën “Të jesh nënë”, Ogudalloven “Vajza pa prikë”, Eleonora “Tango”, Marten “Ana Kristi” etj. Në të gjitha këto role vihet re kërkimi dhe krijimi i një fihure ndryshe. Krijimtaria e Sanie Hotit nuk kufizohet vetëm me dframën, komedinë, teatrin e kukullave, por në biografinë e saj artistike zë një vend të veçantë poezia, interpretimi i saj në dhjetra koncerte poetike e tematike duke e bërë atë shumëdimensionale. Një aktore e cila i ka dhënë dhe vazdhon t’i japë emocione të shumta qofshin ato komike, apo dramatike, publikut artdashës.
Bardhyl Agasi, ish drejtor i teatrit, krijues e studiues
Sanije Hoti është një ndër aktoret me një stazh të gjatë në trupën e teatrit “A. Moisiu”. Ajo i përket brezit të aktoreve që rreth viteve 80 erdhën në këtë trupë artistike direkt pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve duke iu bashkëngjitur një brezi aktorësh të njohur dhe me mjaft përvojë dhe duke i dhënë kësaj trupe freskinë dhe talentin e duhur…U dallua për një botë të brendshme shpirtërore plot ndjenjë dhe pasion, me një kalorit zëri aktorial impresionues plot kumbim në skenë duke ngjallur emocione drithëruese tek spektatorët, në veçanti me rolet që kërkojnë intrepretim shpërthyes. …Një aktore që e bën spektatorin të mos i ndihet frymëmarrja. Sanie Hoti i krijoi vetes hapsira dhe mundësi të reja për të manifestuar në skenë përvojën dhe talentin e saj. Ajo mundi të themi se shkëlqeu në intyrepretime të shumë roleve të tilla si Tixhja “Ne të gjithë këndonim Margariten” të Bashkim Hoxhës ku interpretoi denjësisht krahas aktorëve të mëdhenj si Robert Ndrenika apo Roland Trebicka. …Me aftësitë e saj është bërë figurë qendrore në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe ka arritur të prezantohet me dinjitet në mjaft aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare duke merituar çmimin “Aktorja më e mirë në rol joprotagonist” në vitin 2008, apo “Aktorja më e mirë e festivalit” në Kosovë. Krahas aktivizimit në trupën profesioniste, aktorja Sanie Hoti ka dhënë dhe vazdhon të japë gjatë gjithë kohës një kontribut të madh si regjisore dhe aktore në trupën artistike të të teatrit të kukullave duke i shtuar sukseseve të saj dhe çmime të ndryshme në festivale të teatrit të kukullave. Jam i bindur se qyteti im krenohet me këtë artiste dhe që e meriton plotësisht respektin.
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!







