Qeveria e Edi Ramës ka përgatitur një projektligj për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore.
Vendimi vjen në një kohë kur Edi Rama është akuzuar se vepron sikur është në fushatë permanente zgjedhore.
Nga ana tjetër, vetëm një ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit paralajmëroi në Kuvend se realizimi i të ardhurave në vend është nën plan kryesisht për shkak të mosrealizimit të të ardhurave doganore dhe granteve, ndërkohë që në raportimin e tyre vijojnë të përfshihen arkëtime për parapagime të palidhura me një detyrim tatimor apo dhe zëra të tjerë jotatimorë.
Projektligji, i hartuar nga Ministria e Financave dhe dërguar për mendim Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026 dhe do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2026.
Projektligji përcakton se tatimpaguesit apo subjektet me dënime të formës së prerë për shkelje tatimore apo doganore, ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për këto çështje, nuk do të përfitojnë nga falja.
Ndërkohë, përfitues do të jenë subjektet që kanë detyrime të prapambetura tatimore ose doganore, sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara në projektligj.
Në relacionin e projektligjit përcaktohet se për të gjitha detyrimet tatimore direkte apo indirekte të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë e tyre, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këto të fundit do të fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, por jo kontributet.
Po ashtu, në rastet kur është paguar principali, falja do të përfshijë edhe gjobat dhe kamatëvonesat.
Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme: nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet; ose, nëse paguajnë 75% deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026.
E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfshirë vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit të përcaktuar.
Projektligji përcakton se shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi me kushtin që të paguhet 100% kontributi, brenda datës 31.12.2026.
Projektligji parashikon gjithashtu fshirjen e detyrimeve për tatimpaguesit që janë çregjistruar nga QKB apo administrata tatimore deri në fund të vitit 2024.
Do të fshihen gjithashtu gjobat e krijuara automatikisht nga sistemi për deklarime të vonuara, mosdorëzime deklaratash apo pasqyrash financiare, si dhe gjobat që burojnë nga ndryshime në listëpagesa me efekt prapaveprues.
Për detyrimet doganore parashikohen të njëjtat parime si për tatimet: fshirje e plotë për periudhat deri në fund të vitit 2014; mundësi fshirjeje të pjesshme për vitet 2015–2019, nëse paguhet 50% ose 75% e detyrimit; falje të gjobave e kamatëvonesave në rast pagesash të plotësuara deri më 31 dhjetor 2026.







