Ballina Aktualitet Kreu i Gjykatës së Lartë: Drejtësia nuk matet me shpejtësinë e ligjeve,...

Kreu i Gjykatës së Lartë: Drejtësia nuk matet me shpejtësinë e ligjeve, por me cilësinë e mendimit që mbron lirinë

57
0

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi u shpreh në tryezën konsultative për Kodin e ri Penal se qëndrimi i institucionit që drejton nuk është refuzim i ndryshimeve në Kodin Penal, por një thirrje për ta bërë atë më të drejtë dhe funksional.

Ai ka theksuar se drafti aktual, megjithëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë, jo gjithmonë koherent dhe shpesh e rrezikon proporcionalitetin dhe humanizmin e drejtësisë penale.

Kryesore sipas Gjykatës së Lartë janë pesë shtylla: qartësia dhe siguria juridike, koherenca sistemike dhe përputhshmëria evropiane, dekriminalizimi dhe parimi i “ultima ratio”, filozofia humane e drejtësisë penale dhe respektimi i proporcionalitetit me diskrecion gjyqësor.

“Drejtësia nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por me cilësinë e mendimit intelektual dhe respektin për lirinë e qytetarit”, tha Sadushi, duke shtuar se procesi i reformës duhet të rifillohet mbi baza metodologjike, transparente dhe profesionale, për të siguruar një Kod Penal modern, të drejtë dhe të besueshëm.