Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas rajoneve statistikore për vitin 2023, duke ofruar një panoramë të detajuar mbi shpërndarjen territoriale të zhvillimit ekonomik në vend. Sipas publikimit, ekonomia shqiptare u rrit me 4,02% në terma realë, ndërkohë që PBB me çmime korrente arriti në 2.364 miliardë lekë.
Qendra ekonomike e vendit – Tirana kontribuon me mbi 2 pikë përqindje
Motorri kryesor i rritjes ekonomike ka qenë Qarku Tiranë, i cili kontribuoi me +2,06 pikë përqindje në rritjen e përgjithshme, duke përbërë pothuajse gjysmën e ekonomisë së vendit. Pas saj renditen Fieri me +0,43 p.p. dhe Durrësi me +0,42 p.p., ndërkohë që kontributet më të ulëta vijnë nga Kukësi (+0,04 p.p.), Dibra (+0,06 p.p.) dhe Gjirokastra (+0,07 p.p.).
Këto të dhëna theksojnë qartë pabarazitë e zhvillimit ekonomik midis qarqeve, ku Tirana mbetet qendra absolute e aktivitetit prodhues, tregtar dhe financiar, duke tërhequr pjesën dërrmuese të investimeve, bizneseve dhe punësimit.
PBB rajonale: Qendra mban 50%, Veriu mbetet pas
Në ndarjen sipas rajoneve statistikore (NUTS 2), rajoni Qendër, i cili përfshin Tiranën dhe Elbasanin, zë 50,3% të PBB-së kombëtare, me një rritje prej 4,45% në terma realë.
Rajoni Jug përbën 27,25% të PBB-së, me një rritje 4,02%, ndërsa Veriu zë vetëm 22,5%, me rritje 3,05%, çka reflekton peshën më të ulët ekonomike të zonave veriore.
Në nivel qarku, Vlorë shënon rritjen reale më të lartë me +5,22%, e ndjekur nga Tirana (+4,71%) dhe Fieri (+4,13%).
Në fund të renditjes qëndrojnë Shkodra (+1,32%), Dibra (+2,13%) dhe Berati (+2,69%).
PBB për frymë: Tirana 39% mbi mesataren kombëtare
Në vitin 2023, PBB për frymë në Shqipëri arriti në 984 mijë lekë, sipas të dhënave të bazuara në rezultatet e Census 2023.
Në ndarje rajonale:
•Qendra: 1.199 mijë lekë për frymë (+21,9% mbi mesataren);
•Jug: 845 mijë lekë (−14,1% nën mesataren);
•Veri: 819 mijë lekë (−16,8% nën mesataren).
Në nivel qarku, Tirana mban vendin e parë me 1.367 mijë lekë për frymë, ose 38,9% më lart se mesatarja kombëtare.
E ndjekin Durrësi (1.086 mijë lekë) dhe Fieri (1.042 mijë lekë).
Në anën tjetër, Kukësi mbetet qarku më i varfër me vetëm 549 mijë lekë për frymë, ndjekur nga Dibra (595 mijë) dhe Berati (599 mijë) – rreth 40% nën mesataren kombëtare.
Struktura e ekonomisë: Tregtia, ndërtimi dhe bujqësia
Struktura e Vlerës së Shtuar Bruto (VSHB) tregon një ekonomi ku shërbimet dominojnë, por me peshë të konsiderueshme të bujqësisë dhe ndërtimit:
•Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor – 21,2%
•Bujqësia, pyjet dhe peshkimi – 18,7%
•Industria – 13,2%
•Ndërtimi – 13,4%
•Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia – 13%
•Aktivitetet financiare dhe sigurimet – 1,9%
•Pasuritë e paluajtshme – 5,7%
•Informacioni dhe komunikacioni – 2,8%
Në rajonin Qendër, shërbimet dhe aktivitetet profesionale mbizotërojnë; ndërsa në Jug dhe Veri, bujqësia vijon të ketë një rol të madh, duke reflektuar strukturën e ekonomisë tradicionale në këto zona.
Pabarazitë rajonale dhe domosdoshmëria e balancimit të zhvillimit
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë tendencën e njohur të koncentrimit të zhvillimit ekonomik në Tiranë dhe zonat përreth, duke lënë pas qarqet veriore dhe ato lindore. Kjo pabarazi e qëndrueshme sfidon politikat e zhvillimit rajonal dhe kërkon investime të orientuara në infrastrukturë, turizëm dhe agrobiznes në zonat më pak të zhvilluara.
Ndërkohë, Jugu, falë turizmit dhe sektorëve të rinj të shërbimeve, po konsolidon rolin e vet si pol ekonomik alternativ ndaj Tiranës, veçanërisht në qarqet Vlorë dhe Fier, që vijojnë të tërheqin investime në logjistikë, energji dhe turizëm bregdetar.







