Në qendër të vëmendjes, krah kryebashkiakut të sapozgjedhur të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, është shfaqur edhe bashkëshortja e tij, Rama Duwaji.
Duwaji, 28 vjeçe, është artiste në Nju Jork, me origjinë siriane. Veprat e saj shpesh trajtojnë tema dhe çështje nga Lindja e Mesme, duke e bërë stilin e saj të veçantë dhe të dallueshëm.
“Rama nuk është thjesht bashkëshortja ime, ajo është një artiste e jashtëzakonshme që meriton të njihet për veten dhe punën e saj,” shkroi Mamdani më 12 maj, kur njoftoi se çifti ishte martuar tre muaj më parë.
Dyshja u njohën në aplikacionin e takimeve Hinge. “Kështu që ka ende shpresë për ato aplikacionet e takimeve,” u shpreh me humor Mamdani në një intervistë në qershor, kur ishte ende kandidat.
Gjatë fjalimit të fitores, Mamdani i dedikoi fjalë të veçanta bashkëshortes së tij: “Për bashkëshorten time të jashtëzakonshme, Rama hayati [arabisht: jeta ime] – nuk ka askënd tjetër që do të doja të kisha pranë në këtë moment dhe në çdo moment tjetër.”
Në qendër të një prej qyteteve më të mëdha të botës, Rama Duwaji po tërheq vëmendje jo vetëm si bashkëshorte e kryebashkiakut, por edhe si një artiste e re e gjeneratës Z.







