Ballina Opinion Shqipëria në 35 vite tranzicion ka pasur katër figura politike më karizmatike...

Shqipëria në 35 vite tranzicion ka pasur katër figura politike më karizmatike e popullore!

75
0

Nga Alban Daci  

Berishën e Nanon, që kanë qenë drejtues partie e Kryeministër, i pari edhe president. 

Dy të tjerë, që nuk kanë qenë President, Kryeministër, ministër apo kryetar partie, por që kanë pasur popullaritet e karizëm janë: Azem Hajdari dhe Kreshnik Spahiu! 

I pari për qëndrimet e tij në lidhje me kauzat që lidheshin me fillimin e viteve ’90 e ndërsa Kreshnik Spahiu për faktin se futi patriotizmin dhe Kombin në dialektikën politike si konsumim të përditshëm. 

Dikush mund të thotë se me Kreshnik Spahiun e kam tepruar?! Në fakt Kreshnik Spahiu nga themelimi i AK deri pak muaj para se të hynte në zgjedhjet e 2013 kishte popullaritet të lartë e karizëm të fortë. 

Të tjerët s’kanë pasur karizëm, por kanë përdorur mekanizma politike për tu bërë lider e ndonjëherë i kanë pasur edhe me delegim këto mundësi. 

Këto katër shembuj vërtetojnë faktin se shpesh për tu bërë lider e sidomos në Shqipëri, nuk mjaftojnë popullariteti dhe karizma, por shumë variabël të tjerë politik. Pas Berishës e Nanos, thuajse të gjithë të tjerët që kanë pasur pushtet, nuk kanë pasur as popullaritet e as karizëm. 

Këto katër shembuj plotësojnë kushtet kur liderin e prodhojnë ngjarjet dhe momentet historike e për pasojë edhe popullariteti i tyre në kohë dhe hapësirë është i lartë. 

Berishën e prodhuan ngjarjet e viteve ’90 dhe një pjesë e mirë e lidershipit të tij mbeti i natyrës populiste duke i dedikuar atij si fitoret apo edhe humbjet. 

Azem Hajdarin e prodhuan takimi i studenteve me Ramiz Alinë, por edhe protestat e qytetit studenti. Ai mbeti popullor, sepse nuk u largua nga njerëzit e kjo lidhet edhe me faktin se ai nuk pati funksione të larta shtetërore. U perceptua si lider që luftoi për demokracinë dhe kauzat e saj. 

Fatos Nanon e ndihmoi pasja e pushtetit në kohën e përmbysjes si dhe burgosja e tij duke u konsideruar si i burgosur politik. Rikthimi i tij mbetet ndër më emblematikët dhe ndoshta unik në llojin e tij. 

Kreshnik Spahiu krijoi profilin e tij prej lideri për shkak të kauzës së detit dhe artikulimit të bashkimit kombëtar. Ky edhe pse ishte për pak kohë, do të njihet në histori si një lider për qëndrime të forta e shpesh mund të konsiderohen deri në aventura politike. 

Këta, pavarësisht kohës ose veprave, do të mbahen mend gjatë në memorien e brezave të viteve të tranzicionit. 

Të katër, janë lider populistë, dy që e përdorën me sukses populizmin dhe morën pushtet, dy të tjerë që u bënë populistë, ndoshta pa e kërkuar, nuk morën pushtet, por mbeten besnik në kauza.