Ballina Ekonomia AKEP vendos uljen e tarifave me shumicë të telefonisë fikse

AKEP vendos uljen e tarifave me shumicë të telefonisë fikse

82
0

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vendosur të ulë tarifat me shumicë të telefonisë fikse, duke filluar nga viti 2026.

Tarifat e interkoneksionit ose të terminimit të thirrjeve janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve respektive.

Nga të dhënat e analizës së tregut të kryer nga AKEP, ka rezultuar se tarifat e terminimit të thirrjeve në rrjetet telefonike fikse në Shqipëri janë dukshëm më të larta se ato të 27 vendeve të Bashkimit Europian.

Mbi këtë bazë, AKEP ka vendosur që tarifa e terminimit në rrjetet e operatorëve fiks të ulet gradualisht me 57%, në intervalin kohor 1 mars 2026-1 mars 2027.

Nga 0.7 lekë për minutë që është aktualisht kjo tarifë, AKEP ka vendosur që nga 1 marsi 2026 kjo tarifë të ulet në 0.3 lekë për minutë. Ulja parashikohet të vazhdojë me në etapë të dytë, në 0.15 lekë prej 1 shtatorit 2026 dhe të finalizohet në nivelin 0.07 lekë për minutë, në 1 mars 2027.

AKEP ka përdorur metodën e rregullimit sipas tarifës mesatare në vendet e BE/rajonit (benchmark), me argumentin se gjendja e tregut të telefonisë fikse nuk e justifikon ngritjen e një modeli të pastër të kostove.

AKEP ka shpallur si operatorë me fuqi të ndjeshme në tregun e terminimit të thirrjeve në rrjetet e tyre të gjithë operatorët e ofrimit të shërbimit të telefonisë fikse, çka i bën ata të gjithë subjekt të detyrimit për të aplikuar tarifat e mësipërme, të vendosura nga AKEP.

Sipas të dhënave statistikore të depozituara në AKEP rezulton se numri i operatorëve të aktivë të rrjeteve të telefonisë fikse është aktualisht 29.

Rregullimi i tarifave të terminimit është mekanizmi kryesor që përdorin rregullatorët e tregjeve të komunikimeve elektronike për të garantuar një konkurrencë sa më efektive në tarifat me pakicë për përdoruesit fundorë. Ulja e tarifave me shumicë krijon premisa për tarifa më të ulëta edhe në nivel pakice.

Në analizën e tregut, AKEP ka konstatuar një rënie të ndjeshme të trafikut të thirrjeve të origjinuara nga rrjetet e telefonisë fikse në vite dhe të ardhurave respektive të sipërmarrësve të telefonisë fikse, si edhe një kërkesë gjithnjë e në rënie e përdorimit të shërbimeve të telefonisë fikse, si rrjedhojë edhe e rritjes së përdorimit në masë të shërbimeve të telefonisë celulare.

Sipas të dhënave të AKEP, në fund të vitit të kaluar në Shqipëri rezultonin 165 380 pajtimtarë të telefonisë fikse. Numri i tyre ka rënë për të gjashtin vit radhazi, me 4.5% krahasuar me një vit më parë. Në harkun e një dekade, numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse ka rënë me 35%.

Sipas AKEP, tregu në vendin tonë karakterizohet nga një normë mjaft e ulët e penetrimit krahasuar me vendet e tjera në BE dhe rajonit. Për vitin 2024, ky tregues u rrit lehtë në 6.9%, por vetëm si pasojë e uljes së bazës së popullsisë nga të dhënat e Censit 2023.

Kjo normë mbetet shumë më e ulët krahasuar me mesataren botërore, që është rreth 11% si dhe me vendet e zhvilluara, ku telefonia fikse ende ruan një normë përdorimi rreth 33%. Të dhënat konfirmojnë se rënia e pajtimtarëve nuk është një fenomen i përkohshëm, por një orientim afatgjatë i tregut drejt alternativave më fleksibël dhe bashkëkohore të komunikimit elektronik./Monitor