Ballina Aktualitet Arrestoi mikun e Ilir Prodës, largohet nga Policia e Shtetit ish-shefi i...

Arrestoi mikun e Ilir Prodës, largohet nga Policia e Shtetit ish-shefi i komisariatit numër 2 në Tiranë

84
0

Pas muajsh tensionesh, përplasjesh të brendshme dhe zhvendosjesh të vazhdueshme, ish-shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali, është larguar përfundimisht nga Policia e Shtetit.

Vendimi i tij vjen pas një periudhe konfliktuale me eprorët, që nisi menjëherë pas arrestimit të Altin Morinës, ish-efektiv i RENEA-s i kërkuar nga SPAK për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Arrestimi i Morinës, i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda, shkaktoi një ‘stuhi institucionale’. Menjëherë pas operacionit, Proda ndërmori masa ndëshkimore, duke shkarkuar drejtuesit e Komisariatit nr. 2 dhe disa efektivë të përfshirë në aksion.

Pali u bë shënjestër e heshtur: u transferua disa herë, iu ul grada dhe përfundimisht u dërgua në Leskovik, një post periferik që u interpretua si formë ndëshkimi.

Dorëheqja e tij fillestare nuk u pranua nga drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe nga vetë Proda, veprim që më vonë u pasua nga një seri hakmarrjesh të reja.

Me urdhër të Prodës, Pali u zhvendos në Devoll si Shef i Seksionit të Rendit Publik, më pas iu ul grada nga komisar në nënkomisar, dhe u transferua në Kukës në rolin e një specialisti të thjeshtë.

Zyrtarisht, urdhri i Prodës e arsyetonte këtë me ‘mos-përmbushje të detyrës funksionale’, por burime nga brenda policisë e lidhin ndëshkimin me faktin se Pali kishte vepruar profesionalisht në arrestimin e Altin Morinës, pavarësisht lidhjeve të këtij të fundit me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Largimi i Ritvan Palit shihet si simptomë e një krize të brendshme në institucion, ku drejtuesit që veprojnë në përputhje me ligjin dhe kundër interesave të rrjeteve të brendshme përballen me presion, degradim dhe detyrim për të lënë detyrën.