Deputeti socialist Erion Braçe, duke folur për gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin vjetor të vitit 2024, evidentoi se borxhi i akumuluar nga tatimet e dogana po rritet shumë më shpejt.
Shifrat miliona euro të borxhit tatimor dhe doganave evidentohet në një kohë kur ministria e Financave ka nxjerrë një pr/ligj në konsultim public që i hap rrugën praktikisht një prej aministive më të mëdha fiskale në historinë e Shqipërisë. Bëhet fjalë për faljen potencialisht të rreth 1 miliardë eurove detyrime tatimore për bizneset që nuk janë treguar korrekte me pagesën e taksave.
Braçe tha se kemi të bëjmë me një problem shumë të madh duke evidentuar qartë dhe rastet e abuzimit në tatime dhe klientelizmit në dogana. Inspektorë të organeve tatimore që dalin jashtë sistemit të elektronik të inspektimit. Fikin kamerat, fikin GPS-in. Apo një gjobë prej 8.2 milionë lekësh të vjetra të vendosur ndaj një biznesi të vogël për moslëshim kuponi për 15 kg gjizë.
“Në krahun tjetër, shqetësim shumë i madh është ligjshmëria në fushën e të ardhurave. Dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit për disa vite rresht sjell në vëmendje dy elementë shumë të rëndësishëm.
E para mbi të gjitha, klientelizmin që funksionon ende në dogana, veçanërisht në vlerësimin apo në metodat për vlerësimin e transaksioneve. Dhe ky është një problem shumë i madh sepse nuk, sjell thjesht dhe vetëm evazion fiskal, por mbi të gjitha, cënon edhe konkurrueshmërinë e operatorëve në treg, duke favorizuar disa e duke diskriminuar e nxjerrë edhe nga tregu disa të tjerë.
E njëjta gjë vlen edhe për tatimet. Si gjetje e Kontrollit të Lartë të Shtetit, por ajo që vjen në evidencë ka të bëjë me borxhin, sepse do të kemi një ligj pas disa ditësh këtu e që do ta diskutojmë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit sjell në vëmendje faktin që borxhi, borxhi i akumuluar po rritet shumë më shpejt sesa masa e arkëtimit të këtij borxhi në harkun e një viti.
Dhe ky është një shqetësim shumë i madh. Por ama më i madh bëhet shqetësimi kur inspektorët e organeve tatimore dalin jashtë sistemit të elektronik të inspektimit. Fikin kamerat, fikin GPS-in e kështu me radhë dhe kjo evidentohet shumë qartë në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky është një problem shumë i madh.
…
Një biznes, në Tiranë, në periferi të saj, do e lexoj se më ka bërë shumë përshtypje: në momentin e kontrollit rezulton se nuk lëshon faturë tatimore për gjizë në shqip, në shifrën 229 lekë për njësi, në sasinë 15 kilogramë. Dhe gjoba është 822 mijë lekë të reja, ose 8,2 milionë lekë të vjetra. E kjo vetëm për 15 kile njomëz apo gjizë”, u shpreh Braçe, duke publikuar nga foltorja e Kuvendit dokumentin e raportit, të cilin e lexoi para ligjvënësve në sallë”







