Ballina Kronika DURRES/ I kërkoi para një shtetasi për t’i hequr makinën nga pika...

DURRES/ I kërkoi para një shtetasi për t’i hequr makinën nga pika e bllokimit, AMP arreston policin

246
0

Një punonjës policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Durrës me akuzën e korrupsionit.

Sipas AMP, arrestimi i tij erdhi pasi polici i kërkoi një personi një shumë prej 60 mijë lekësh të reja për t’i nxjerrë automjetin nga pika e bllokimit si dhe për të mos i vendosur gjobë.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë G. H., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal.

Arrestimi në flagrancë u realizua pas veprimeve me metoda speciale të hetimit, ku u arrit të provohej se punonjësi i policisë duke shfrytëzuar funksionin organik në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit E.S., një shumë prej 60 000 lekë të reja (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale), duke i premtuar në këmbim që do ti nxirrte mjetin nga pika e bllokimit, si dhe mosvendosjen e masës administrative.

Vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me SPAK për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.”, njoftoi AMP.