Kombëtarja e futbollit ka forcën për t’i bashkuar shqiptarët kudo ku ekipi luan dhe kjo po dëshmohet sërish. Për sfidën e javës që vjen në Andorra (13 nëntor), shumë tifozë shqiptarë duan të jenë në ” Nou Estadi d’Encamp” të Andorrës, por po hasin probleme me biletat.
Me kapacitet vetëm 5.108 ulëse, përqindja që u takon kuqezinjve është e vogël dhe për këtë shqiptarët kanë nisur të blejnë bileta në zonën e vendasve. Ka qenë Federata e Futbollit e Andorrës që në një komunikatë zyrtare ka shpjeguar se ka ndryshuar shitja e biletave, duke qenë vetëm për rezidentët dhe tifozët vendas.
Megjithë vështirësitë e hasur kanë qenë të shumtë shqiptarët që kanë siguruar një biletë në stadium, ndërsa FSHF duket se biletat për tifozët e Kombëtares nuk do i shpërndajë për “Tifozat Kuq e Zi”, pas përplasjeve mes palëve gjatë muajve të fundit.
Nëse Shqipëria fiton në Andorra dhe Serbia humbet kundër Anglisë në “Wembley”, kuqezinjtë edhe matematikisht do siguronin vendin e dytë në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, duke siguruar një vend në play-off.
Diçka e tillë ka sjellë një kërkesë të lartë nga kuqezinjtë për të qenë dëshmitarë në stadium, por që janë frenuar nga Federata e Futbollit të Andorrës.







