Ballina Rajoni Humbi të birin në aksidentin hekurudhor të Tempit, Prokuroria 10 ditë kohë...

Humbi të birin në aksidentin hekurudhor të Tempit, Prokuroria 10 ditë kohë shqiptarit: Ejani dëshmoni për autopsinë!

79
0

Zyra e Prokurorit të Larisës i ka dërguar shtetasit shqiptar Pano Ruçi një njoftim 10-ditor për t’u paraqitur dhe për të dëshmuar në lidhje me llojin e analizave që dëshiron të kryhen në trupin e djalit të tij. Urdhri u shpall sot në zyrën e avokates së tij, Zoe Konstantopoulou. Ruçi fitoi të drejtën për të bërë kërkesën pas një proteste dhe greve urie të paprecedentë, që zgjati 23 ditë përpara Parlamentit të Greqisë.

Ai kërkon zbardhjen e plotë të së vërtetës mbi shkakun e vdekjes së të birit, Denis Ruçi, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik hekurudhor të Tempit, dy vite më parë. Shqiptarit i është njohur e drejta për të kërkuar zhvarrosjen, analizat e ADN-së dhe hetimin mbi shkaqet e vdekjes.

Në rast se ai nuk përgjigjet brenda afatit të caktuar, Prokuroria e Larisës do ta konsiderojë se Ruçi heq dorë nga çdo kërkesë apo mundësi e mëtejshme për ekzaminime mbi trupin e djalit të tij. Në këtë rast, procedura do të vazhdojë “ex officio”, sipas urdhrave dhe udhëzimeve të mjekut ligjor kompetent, përfshirë edhe kryerjen e zhvarrosjes.