Sindikatat e punëtorëve të sektorit publik në Kosovë kanë paralajmëruar pasoja të rënda për punëtorët dhe qytetarët nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për miratim të buxhetit për vitin e ardhshëm ose zgjatjen e buxhetit për tre muajt e parë të vitit.
Nëse nuk miratohet buxheti për 2026-tën, krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucionet publike, lihen pa të ardhura 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë e mbi 12 mijë familje të dëshmorëve dhe invalidëve të punës.
Përfaqësuesit e sindikatave të sektorëve kyç të vendit, shëndetësisë, arsimit, administratës publike dhe policisë thonë se në rast të bllokimit institucional, mund të cenohet funksionimi i shërbimeve bazike.
Pacientët rrezikohen të mbesin pa barna esenciale, e rreth 14 mijë punonjës të sektorit të shëndetësisë të mbesin pa paga. E njëjta situatë edhe për mbi 30 mijë punëtorë të arsimit, të cilët e kanë pagën si të vetmin burim jetese.
Në mungesë të miratimit të buxhetit vihen në rrezik edhe pagesat e mbi 11 mijë policëve. Partitë politike nuk kanë dhënë sinjale për arritjen e një marrëveshjeje që do të shtyjë përpara miratimin e buxhetit për 2026 apo zgjatjen e afatit për tre muaj të buxhetit aktual.







