Deputeti Saimir Korreshi ka kritikuar me tone të forta çështjen e mosgjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit dhe nderimit të ish-funksionarëve të regjimit në Lushnjë. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai akuzoi autoritetet përgjegjëse për mungesë transparence dhe veprimtarie në kërkimin e eshtrave të të përndjekurve, ndërsa dënon vendimin e Bashkisë Lushnje për ta shpallur “Qytetar Nderi” ish-kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Gjergj Velo, një figurë që, sipas Korreshit, ka firmosur dhjetëra internime gjatë viteve ’80. Deputeti kërkoi që vendet e ish-kampeve të internimit, si Savra, të ruhen dhe të kthehen në muze kujtese, si dëshmi e dhimbjes dhe qëndresës së të përndjekurve politikë.
Saimir Korreshi: Mëngjes, drekë darkë, të çohesh, të shtrihesh, të ulesh, të ngrihesh, me proces verbal, me pyetje. E di çfarë me thënë mos gjesh akoma eshtra të afërmit tuaj? Sepse kemi këtu dhe flitet po kërkojmë eshtra. Nga viti 2018 deri 2025 e kam thënë, sa eshtra janë gjetur? Dhe sa lekë janë harxhuar? Asnjë. Kanë bërë kërkesë 280 familje, thonë në raport. Po sa janë gjetur? Sa janë gjetur? Duan një përgjigje këto familje, sa janë gjetur? Asnjë. Po atëherë çfarë duhet të mendojnë këto familje? Që kemi të bëjnë me një autoritet të zbulimit, dosje zbulimi të vërtetës? Jo absolutisht. Ama ndjehet familja e tyre dhe e shumë familjeve të tjera lushnjare që mbas një vendimi apo një vendimi të lëshuar nga ju, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Lushnjës nga vitet ’83-’89, Gjergj Velo, është bërë qytetar nderi nga Bashkia Lushnje para një muaji. Turp!
Ju e dini shumë mirë që dekreti i Presidiumit, që unë e kam këtu dhe dekretin e Presidiumit në nenin gjashtë, po e lexoj dekretin, ja ky është dekreti i Presidiumit, urdhëroni! Ja ku e keni. Në nenin gjashtë të tij, automatikisht i quante kryetarët e Komitetit Ekzekutiv të rretheve apo s’e dini? Ja po e lexoj te Gjergj Velo çfarë e quan. Kryetar i Komisionit Internim-Dëbim i rrethit. Firma: Gjergj Velo. A e dini sa familje ka internuar ky zotëri? Ka propozuar për internim, ka qenë iftari më i flaktë i Partisë Komuniste gjatë atyre viteve kur komunizmi po binte. Dhe Bashkia Lushnjë e bën qytetar nderi. Kur dihet që Lushnja ka pasur 11 qendra internimi, 11, jo pak, po 11. Të gjithë intelektualët punonin në lopatë, punonin, hapnin kanale me dorë gjithë ditën, mos ta ngrinin kokën. Dhe me apel tre herë në ditë. Lushnja ka… ka qendra të internimit, por përveç se atyre, asnjëherë nuk, prapë te raporti juaj nuk guxuat ta lexonit që Lushnja është me qendra të internimit, me 11, plot 11.
Çfarë keni bërë ju për ato vendet, për ato shtëpitë që po prishen në Savër? Që… që ruhen me fanatizëm nga ata të përndjekurit politikë dhe vendet e tjera që ti ruash. Çfarë keni bërë? Shkoni në Savër atje, mund t’i bëni shumë mirë muze, në qoftë se flisni këtu që keni bërë takime e takime e takime. Asnjë takim. Në përgjigjen tuaj, mbasi unë ju kam dërguar dokumentet, i kam gjetur unë personalisht me kërkimet e mia, i kam publikuar, propozimet që ka bërë Gjergj Velo për dhjetëra e dhjetëra familje, më i fundit ka qenë ajo që i gjuajtën në Lushnjë, 15 familje menjëherë ka internuar Gjergj Velo. Po t’jua jap me emër se i keni, i thonë të gjithë. Ju prapë thoni që ne nuk kemi. Si nuk keni ju? Edhe prapë në njoftim për shtyp thoni: Së dyti, përsa i takon dokumenteve të publikuara në media për rastin, konstatohet se nuk janë pjesë e fondeve arkivore. Por, por, menjëherë ju jam përgjigjur dhe ju kam nxjerrë dosjen 301 të vitit ’86. Dhe këtu thotë, AIDSSH me numër 237 protokoll datë 5.3.2024. Urdhëro.
Ka brenda dosjet e Gjergj Velos, që më pas ia keni dërguar Bashkisë Lushnje dhe prefektit. Dhe pyetja ime nuk ka… kjo pyetja ime ka qenë e para, pikërisht këtë kam thënë. Këtë person ju s’e konsideroni që s’ka pasur lidhje, ju thoni që nuk është asnjë nga pikët sepse nuk është i Komitetit Qendror. Po mirë, ky njeri, ky njeri, si i quani këto propozuesit ju për internim që ka internuar dhe ka zgjatur? I keni këtu vendimet, jua kam vënë në dispozicion dhe juve unë, i kam publikuar dhe në Facebook. Si ka mundësi që t’i gjejë një qytetar dhe i kanë të gjithë qytetarët e Lushnjes dhe nuk i keni ju? Ose pse nuk e keni bërë verifikimin në rastin konkret? Sepse ja ku është dosja. Jua kam vënë prapë ju në dispozicion. Si ka mundësi ta gjej unë që ju e keni në arkiv këtë? Po ku është parë kjo? Mbasi e kam thënë unë, keni bërë interpretimin e kësaj dhe i keni dërguar shkresë Bashkisë Lushnje. Po pse? Nuk keni… nuk keni, keni prekur në plagë të të përndjekurve politikë. Kurrë në publikimet e mia dhe kurrë në kauzat që kam ngritur, nuk kam pasur një kaq sensibilitet sa ka ndodhur këtë herë me Gjergj Velon.







