Ballina Aktualitet Mbyllet shkolla private “Dituria” në Tiranë dhe kopshti në Lezhë

Mbyllet shkolla private “Dituria” në Tiranë dhe kopshti në Lezhë

87
0

Ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e veprimtarisë së dy institucioneve arsimore jopublike, përkatësisht shkollës 9-vjeçare “Dituria” në Tiranë dhe kopshtit privat “Ate Annibale Di Francia” në Lezhë. Vendimet janë firmosur nga zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, dhe janë publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 5 nëntor 2025.

Me Urdhrin nr. 557, Ministria e Arsimit ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së shkollës jopublike “Dituria”, një institucion i arsimit bazë që operonte në Tiranë prej më shumë se dy dekadash. Shkolla funksiononte nën subjektin juridik “AMK-DITURIA” sh.p.k, me NIPT K91503006H, e licencuar që prej vitit 1999.

Mbyllja është bërë me kërkesë të vetë institucionit, ndërsa urdhri parashikon një sërë detyrimesh për garantimin e të drejtave të nxënësve dhe prindërve. Konkretisht, shkolla duhet të kthejë pagesat e kryera nga prindërit për pjesën e papërfunduar të shkollimit; të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin shkollor të nevojshëm për transferimin në një institucion tjetër; si edhe të dorëzojë të gjithë dokumentacionin arsimor dhe administrativ në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Tiranë.

Po ashtu, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë është ngarkuar të ngrejë një grup pune brenda tre ditëve për mbylljen e plotë të veprimtarisë së shkollës, të marrë masa për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera dhe të administrojë dokumentacionin sipas ligjit “Për arkivat”. Procesi do të monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Drejtoria Rajonale Arsimore Tiranë.

Me hyrjen në fuqi të këtij urdhri, shfuqizohen licencat e dhëna për funksionimin e shkollës “Dituria” përmes urdhrave nr. 105, datë 13.9.1999 dhe nr. 169, datë 11.7.2002 të ish-Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Në të njëjtën datë, Ministria e Arsimit ka miratuar Urdhrin nr. 558, për mbylljen e veprimtarisë së kopshtit privat “Ate Annibale Di Francia” në Lezhë, themeluar nga Fondacioni “Etërit Rogacionistë Shqiptarë”. Ky institucion ishte licencuar në vitin 2009 me urdhrin nr. 466 të ministrit të atëhershëm të Arsimit dhe Shkencës.

Edhe në këtë rast, mbyllja është bërë me kërkesë të vetë themeluesit. Sipas urdhrit, kopshti është i detyruar të dorëzojë dokumentacionin e plotë të veprimtarisë në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Lezhë; të kthejë pagesat e kryera nga prindërit për pjesën e papërfunduar të vitit arsimor; si dhe të bashkëpunojë me autoritetet arsimore deri në përfundimin e procesit të mbylljes.

Ndërkohë, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Lezhë duhet të ngrejë grup pune brenda tre ditëve, të administrojë dokumentacionin dhe ta arkivojë sipas ligjit “Për arkivat”. Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Drejtoria Rajonale Arsimore Lezhë janë ngarkuar me monitorimin e zbatimit të procedurave.

Me hyrjen në fuqi të këtij urdhri, shfuqizohet licenca e funksionimit e dhënë me urdhrin nr. 466, datë 22.12.2009.