Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë sërish për t’u rizgjedhur në Kongres, duke i dhënë fund një prej karrierave më të gjata dhe më me ndikim në politikën amerikane.
Pelosi, e cila ka hyrë në histori si gruaja e parë që ka mbajtur postin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, e bëri njoftimin përmes një video-mesazhi drejtuar votuesve të saj.
“Nuk do të kërkoj rizgjedhjen time në Kongres,” tha ajo. “Mesazhi im për qytetin që dua është ky: San Francisko, njihe forcën tënde. Kemi bërë histori, kemi arritur përparim dhe gjithmonë kemi qenë pararojë.”
Ajo shtoi më tej: “Tani duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, duke marrë pjesë plotësisht në demokracinë tonë dhe duke luftuar për idealet amerikane që i çmojmë aq shumë.”
Me këtë vendim, Nancy Pelosi përmbyll një epokë në politikën amerikane, ku për dekada ka qenë një nga figurat më të fuqishme dhe me ndikim në Partinë Demokratike dhe në Washington.







