Ballina Sport Ndodh mrekullia me basketbollistin, rikthehet në jetë pas dhjetë ditësh në koma

Ndodh mrekullia me basketbollistin, rikthehet në jetë pas dhjetë ditësh në koma

70
0

Basketbollisti italian, Achille Polonara, ka përjetuar një mrekulli të vërtetë.

Pas një transplanti të suksesshëm të palcës kockore, lojtari 33-vjeçar ra në koma për shkak të komplikimeve shëndetësore, por pas dhjetë ditësh ai është zgjuar dhe po shërohet me sukses.

Lajmin e bëri publik gazetari Nicolo De Devitiis në emisionin ‘Le Iene’, ku u transmetuan edhe reagimet emocionuese të Polonara-s dhe bashkëshortes së tij, Erika Bufano.

“Më thanë se kisha 90% mundësi për të vdekur,” rrëfeu ai pas daljes nga koma dhe largimit nga spitali të shtunën.

Bashkëshortja e tij tregoi se Polonara është jashtë rrezikut, megjithëse ka ende dobësi në krahun dhe dorën e djathtë. “Ishte një periudhë e tmerrshme.

Çdo ditë vinin lajme të këqija dhe unë nuk mund të bëja gjë tjetër veçse të lutesha.

Për gjendjen e tij, mund të them se ndodhi një mrekulli,” u shpreh ajo me emocion.

Polonara, që po lufton prej kohësh me leukeminë mieloide, tha se nuk mban mend shumë nga periudha e komës: “Ishte sikur të isha në gjumë të thellë. Ishte shumë e vështirë, por e ndieja se do të kalohej.”

Pas përmirësimit të ndjeshëm, ai ka nisur terapinë fizike dhe shpreson të rikthehet së shpejti në fushë. Polonara firmosi këtë verë me Banco di Sardegna Sassari, klubin ku ka luajtur edhe më parë, dhe synon të përfundojë rikthimin e plotë në basketboll pas shërimit të plotë.