Ballina Aktualitet Sulmoi ambasadorin e BE, shoqëria civile reagon ndaj Berishës: U tregove diskriminues!

Sulmoi ambasadorin e BE, shoqëria civile reagon ndaj Berishës: U tregove diskriminues!

61
0

Shoqëria civile ka reaguar fort ndaj suleve të Sali Berishës ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gozato. Në në deklaatë për mediat, e kanë konsideruar këtë gjuhë të papranueshme dhe diskriminuese për një shoqëri demokratike.

Deklarata

Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI dënon me forcë gjuhën fyese, denigruese dhe thellësisht homofobike të përdorur nga z. Sali Berisha dhe znj. Lindita Pano ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Silvio Gonzato.

Këto deklarata nuk janë thjesht sulme ndaj një diplomati të nderuar, por sulme ndaj vetë vlerave europiane të dinjitetit, barazisë dhe respektit njerëzor, mbi të cilat është ndërtuar rruga e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në intervistën me gazetarët dhe në seancën plenare të Parlamentit, Z. Sali Berisha u shpreh:

“Zotëri ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve. Përpjekjet tuaja për t’i imponuar standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, përveç asaj binare. Edhe në statusin tënd ti je binar. Ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e veta mbrapa siç ka shpjeguar jetën e tij personale. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoj të nderuarit Ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE-së e kërkojnë një gjë të tillë. Edhe ai që ka mbrojtur ligjin, edhe ai ka pasur historinë e tij familjare, ka bërë ndryshimin. Ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por ne nuk përmbysim shoqërinë kurrë për këtë.”

Ndërsa, në një intervistë të fundit në podcasting e Akil Panos ‘’Fjala’’, Znj. Lindita Pano deklaroi:

“Ne kishim ambasadorin e Bashkimit Europian që bëri coming out më 19 maj dhe akoma nuk e besoj dot që një ambasador në Shqipëri promovon axhendën personale… të dalësh në shtetin ku je me mision dhe të thuash që unë po bëj coming out është shumë denigruese. Kur ti e bën personale dhe nxjerr shtratin tënd personal në publik përpara një kombi, një populli, që ti e di që tradita e tij nuk e mban këtë si axhendë atëherë është imperializëm kulturor, është imponim.”

Këto deklarata janë shembuj të pastër të stigmatizimit dhe instrumentalizimit politik të homofobisë në funksion të frikësimit dhe përçarjes shoqërore. Ato nuk kanë të bëjnë me debatin për ligje apo politika, por me sulmin personal ndaj një diplomati që guxoi të jetë i hapur dhe i sinqertë për identitetin e tij, përtej profesionalizmit, në përputhje me parimet e transparencës dhe integritetit që promovon Bashkimi Europian.

Të konsiderosh aktin e një personi që ndan hapur identitetin e tij si “axhendë personale” apo “imperializëm kulturor” është shprehje e një mentaliteti autoritar dhe armiqësor ndaj lirisë individuale. Një Ambasador që deklaron hapur orientimin e tij seksual nuk po imponon asgjë,  përkundrazi, ai po dërgon një mesazh për dinjitet, respekt dhe përfshirje, duke dëshmuar se Bashkimi Europian pjesë e së cilit duam të bëhemi, është një bashkësi që nuk njeh frikë nga liria dhe respekti i dinjitetit njerëzor të kujtdo, qoftë qytetar i thjeshtë apo Ambasador.

Sulme të tilla e vendosin Shqipërinë në një dritë të errët në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe rrezikojnë ta kthejnë vendin tonë në terren të lirisë së kufizuar, ku urrejtja lejohet të zëvendësojë argumentin, dhe frika të zëvendësojë respektin njerëzor.

Aleanca LGBTI qëndron në solidaritet të plotë me Ambasadorin Silvio Gonzato.

Ne, që prej vitesh luftojmë për barazi, dinjitet dhe njohje ligjore, e dimë mirë se kur urrejtja fillon të normalizohet në fjalorin politik dhe publik, demokracia fillon të tkurret.