Ballina Politika Tabaku: Shqipërisë i duhen 79 vite për të plotësuar standartet e BE...

Tabaku: Shqipërisë i duhen 79 vite për të plotësuar standartet e BE në fushën sociale, 50 vjet në atë ekonomike

55
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend, ka komentuar gjetjet e Progres Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se dokumenti konfirmon shqetësimet e opozitës për mungesën e zgjedhjeve të lira, politizimin e administratës publike dhe dobësinë e institucioneve demokratike në vend.

‘Së pari, çfarë thoshte Progres Raporti? Progres Raporti përcaktoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk fitohen me ide, fitohen me pushtet. Dhe këtë nuk e thotë opozita, por një pjesë e konsiderueshme e raportit e cila konsideron votën jo të lirë, demokracinë shqiptare jo funksionale për aq kohë sa ne jemi të paaftë për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme,’ deklaroi Tabaku.

Deputetja theksoi se, ndonëse zgjedhjet e 11 majit u zhvilluan të organizuara mirë në aspektin teknik, ato nuk ishin të ndershme dhe nuk respektuan shpirtin e konkurrencës. ‘Në çdo fjali, Brukseli nënvizonte atë që kemi muaj që e themi mbas procesit të 11 majit,’ shtoi ajo.

Tabaku u ndal edhe te reformat që lidhen me procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi nuk mund të ecë përpara vetëm me premtime apo ligje të miratuara në letër.

‘Për integrimin nuk mjaftojnë premtimet. Është e nevojshme që çdo reformë të jetë e besueshme, por nga ana tjetër edhe të zbatohet. Duhet patjetër që të përfshihen grupet e interesit. Duhet që ndryshimet të mos jenë në letër, të mos jenë një listë ligjesh që miratohen, po ndryshime në jetën reale të qytetarëve shqiptarë,’ u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, mungesa e angazhimit të qeverisë ka sjellë pasoja të rënda për zhvillimin e vendit. ‘Mungesa e këtij angazhimi ka sjellë një Shqipëri më të varfër, shqiptarë që fatkeqësisht janë larguar, por nga ana tjetër edhe një hapësirë të jashtëzakonshme për t’u përmbushur krahasuar me Bashkimin Europian. A e dini se Shqipërisë i duhen 53 vite për të plotësuar standartet e BE-së në fushën ekonomike, 79 vite për të plotësuar standartet e BE-së në fushën sociale e mbi 1000 vite për të plotësuar ato në fushën e mjedisit, të bujqësisë e të peshkimit,’ theksoi ajo.

Deputetja demokrate iu referua edhe funksionimit të Parlamentit, duke kritikuar mungesën e kontrollit real mbi qeverinë dhe bllokimin e komisioneve hetimore.

‘Kuvendi nuk ka kontroll real mbi qeverinë. Emërimet në institucione kushtetuese vazhdojnë që të jenë partiake, komisionet hetimore bllokohen. Ndërkohë që komisionet parlamentare që duhet të garantojnë llogaridhënie kthehen fatkeqësisht shpeshherë dhe në zgjatime të ekzekutivit,’ tha Tabaku.

Në vijim, ajo u ndal te kritikat për administratën publike, të cilën e cilësoi si ‘thembra e Akilit’ të procesit të integrimit europian.

‘Progres Raporti flet për një administratë publike të politizuar, e cila fatkeqësisht ka pasur edhe pushime masive nga puna për arsye politike. Mbi 120 milionë euro llogariten gjyqet për punësimin e dyfishtë, sepse administrata publike sot fatkeqësisht nuk është administratë shtetërore, është administratë e partisë,’ nënvizoi ajo.

Megjithatë, Tabaku përshëndeti vendimin e Konferencës së Kryetarëve për zhvillimin e një debati të posaçëm për Progres Raportin dhe raportin e ODIR-it, duke e cilësuar si një hap pozitiv.

‘Si pak raste më parë, ashtu siç do të kemi një debat njëkohësisht edhe për procesin e ODIR-it. Po ajo që duhet të bëjmë ne, jo vetëm në këtë sallë, po dhe jashtë salle, është që ta kthejmë këtë proces në një prioritet kombëtar. Të diskutojmë dhe ta përfundojmë edhe diskutimin e Progres Raportit me një rezolutë të përbashkët, të marrim hapa, të ndajmë punën për komisionet parlamentare dhe njëkohësisht të shohim se si ky mund të bashkërendohet edhe me procesin e buxhetit,’ tha ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, deputetja e PD-së bëri thirrje që procesi i integrimit të trajtohet si një e mirë publike dhe jo si mjet marketingu politik.

‘Mos e kyçni procesin e integrimit siç keni bërë deri më sot. Mos e trajtoni atë si marketing politik. Trajtojeni atë si një të mirë publike për qytetarët shqiptarë që sot po largohen gjithmonë e më shumë vetëm si rezultat i dështimit të qeverisë në këtë proces.,’ përfundoi deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.