Ballina Opinion A ka lidhje me SPAK paralajmërimi i sotëm i Berishës? “Platforma parlamentaro-qytetare”...

A ka lidhje me SPAK paralajmërimi i sotëm i Berishës? “Platforma parlamentaro-qytetare” zbret poshtë zyrës së Ramës

76
0

“Do hapim platformën parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave si hap i parë” — paralajmërimi i Sali Berishës në konferencën e sotme për shtyp në pamje të parë duket si reagim ndaj vendimit për ta përjashtuar atë nga parlamenti për dy muaj, pas deklaratave ndaj ambasadorit Gonzato.

Megjithatë, zhvendosja e parlamentit poshtë zyrës së Edi Ramës, edhe pse në dukje e ngjashme me çadrën e famshme të Lulzim Bashës, duket se nuk ka asgjë të përbashkët me periudhën kur demokratët u zhvendosën për javë të tëra poshtë Kryeministrisë. Me gjasë, vendimi ekstrem që pritet të realizohet në ditët në vijim ka një prapavijë më të thellë, të lidhur ndoshta me zhvillimet që vijnë nga SPAK.

Mjafton të kujtohet se edhe herën e parë kur PD u zhvendos në rrugë, ishte kur Prokuroria e Posaçme mori masën shtrënguese ndaj Sali Berishës. Asokohe çdo aktivitet politik i demokratëve zhvillohej poshtë ballkonit të kryetarit të saj. Edhe këtë herë duket se një hall më i madh se ai i përjashtimit për pak javë nga parlamenti do të bëhet shkak që opozita të jetë në funksion të halleve të kryetarit të saj.

Në kohën kur qeveria Rama është e përfshirë nga kaosi dhe hetimet për zv.kryeministren në detyrë, PD në mënyrë paradoksale do t’i rikthehet rrugës dhe gjuhës agresive ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe drejtësisë së re. Sikundër faktet dhe koha kanë treguar, PD nuk ka tashmë asnjë qëllim apo program për të mundur Ramën dhe për të qeverisur vendin. Strategjia e saj politike e radikalizimit është thjesht rrjedhojë e vënies në funksion të një partie, militantëve dhe mbështetësve të saj në shërbim të halleve të Sali Berishës me drejtësinë.

Dhe deri sa kjo të vazhdojë, çdo krizë e re për qeverinë Rama, për fat të keq, nuk e cenon këtë të fundit dhe as i jep mundësi kundërshtarëve të fitojnë terren./vna