Pastori Akil Pano ka bërë një reagim të ashpër ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët në seancën e djeshme plenare miratuan projektligjin për “Barazinë Gjinore”, i cili tashmë pas botimit në Fletoren Zyrtare merr formën totale të ligjit.
“Çmimi i tradhëtisë së 77 kartonave”, e nis mesazhin e tij Pastori, duke ju referuar 77 votave që mori projektligji nga deputetët e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër, ashtu siç kishte paralajmëruar.
“Sekti votoi kundër interesave më të lartë të familjes, shqiptarëve, Shqipërisë. Mes tyre, të krishterët dhe muslimanët votuan kundër Biblës dhe Kuranit. Dishepujt dhe një herë treguan që kulti i tyre më i lartë është pushteti. Çdo gjë veç Zotit.
Si do të dilni sot përpara babait dhe nënës, gruas dhe fëmijëve tuaj o të paudhë. Ju që me ngritjen e kartonit mohuat ata që ju rritën dhe dënuat ata që quani të ardhmen tuaj. Ofruat bijtë tuaj si olokaust në zjarr, mbi altarët e Baalit dhe Molekut në këmbim të pushtetit.
Sektarë të paditur, të kapur nga një botë instiktesh, të verbër që ndiqni qorrazi udhën e gjerë që ju çon në shkatërrim. Shitët shpirtin e kombit për 30 monedha argjendi pa menduar që ky është çmimi që i vendosët shpirtit tuaj”, përmbyllet reagimi i Akil Panos.
Kundërshtimet e opozitës në Kuvend dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare e shoqërisë civile u fokusuan tek terminologjia për identitetin gjinor, me pretendimet se përkufizimet e nismës binin ndesh me familjen dhe traditën shqiptare si dhe i hapnin rrugë sipas tyre, njohjes ligjore të komunitetit LGBTI+.







