Ballina Europë Alarm në Itali/ 93 mijë vdekje në vit nga duhani, kërkohet rritje...

Alarm në Itali/ 93 mijë vdekje në vit nga duhani, kërkohet rritje drastike e çmimit të cigareve

73
0

Çdo cigare të heq mesatarisht 20 minuta jetë — 22 për gratë dhe 17 për burrat — dhe sëmundjet e lidhura me duhanin shkaktojnë çdo vit 93 mijë vdekje vetëm në Itali.

Agjencia ANSA, raporton se kostoja vjetore që ky numër vdekjesh ndikon në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor kalon 24 miliardë euro. Tre shifra që mjaftojnë për të shpjeguar arsyet e nismës së promovuar nga Shoqata Italiane e Onkologjisë Mjekësore (AIOM), së bashku me fondacionet kryesore në fushën e onkologjisë kanë nisur një mbledhje firmash për një propozim ligji me nismë popullore kundër duhanpirjes, me qëllim që të arrihet te çmimet “frenuese” duke rritur me 5 euro koston e paketës së cigareve.

Nisma, e paraqitur në Senat në prag të Kongresit të 27-të Kombëtar të AIOM (7–9 nëntor në Romë), synon që deri në pranverë të mblidhen 50 mijë firma të verifikuara, për një ligj që do të rrisë taksat akcizat për të gjitha produktet, përfshirë cigaret elektronike dhe duhanin e ngrohur, për të dekurajuar pirjen e duhanit, që përbën faktor rreziku kryesor për kancerin. Me 50 mijë firma të mbledhura, sipas nënkryetares së Senatit, Mariolina Castellone, “Parlamenti është i detyruar ta diskutojë brenda tre muajsh projektligjin me nismë popullore.”

Përfitimet janë të dukshme: “Me një rritje prej 5 eurosh për paketë, përveç uljes së numrit të duhanpirësve, do të mund të rikuperoheshin rreth 12 miliardë euro që do të destinoheshin për parandalim — thekson ajo — në një kohë kur, sipas Fondacionit Gimbe, fondet për parandalimin janë ulur me 2 miliardë gjatë vitit të kaluar.” Kjo është një betejë e vjetër për AIOM-in, që sot bashkohet me organizatat e tjera të onkologjisë për ta bërë konkrete një kërkesë të mbështetur nga 60% e italianëve sipas një sondazhi të fundit të Doxa-s: rritjen e çmimit të cigareve për të financuar sistemin shëndetësor dhe parandalimin.

“Sipas më shumë se një viti dialog me përfaqësues të qeverisë — shpjegoi presidenti i AIOM-it, Franco Perrone — e kuptuam se qeveria është e ngjeshur mes interesave të ndryshme që e bëjnë të vështira zgjidhjet drastike. E dimë që në Itali ekziston një zinxhir i prodhimit të duhanit me punëtorë që duhen respektuar, por në të gjithë botën po ndodh një ristrukturim i këtij sektori. Megjithatë, 93 mijë vdekje në vit nuk mund të shpërfillen.”

Në fakt, sipas Perrone-s, ky konflikt midis shëndetit dhe ekonomisë është vetëm i dukshëm, sepse rritja e çmimit të cigareve do të ulte ngarkesën e sëmundjeve dhe do të lironte më shumë burime për të gjithë sistemin.

Rreziku vjen edhe nga pajisjet e reja, siç thekson Giulia Veronesi nga Fondacioni Veronesi: “Një duhanpirës humbet mesatarisht 10 vite jetë në krahasim me një jo-duhanpirës, dhe për të rinjtë rreziku vjen edhe nga cigaret elektronike: të dhënat e para shkencore tregojnë se cigaret elektronike rrisin rrezikun e kancerit, sëmundjeve të mushkërive dhe kardiovaskulare. Për më tepër, nikotina që ato përmbajnë krijon varësi tek të rinjtë dhe shërben si urë drejt duhanpirjes tradicionale.”

Një tjetër faktor është ndikimi i madh i multinacionalëve të duhanit: “Duhet të zhbëhen mitet e rreme të promovuara nga industria, deklaron Maria Sofia Cattaruzza nga Departamenti i Shëndetit Publik i Universitetit ‘La Sapienza’ në Romë. Studime të shumta ndërkombëtare tregojnë se rritja e çmimit të cigareve nuk dëmton ekonominë, nuk ul të ardhurat fiskale dhe nuk nxit tregtinë e paligjshme.”

Pa harruar se në Itali akcizat mbi cigaret janë ndër më të ulëtat në Evropë: vetëm 3,19 euro për paketë, kundrejt 7,45 eurove në Francë dhe 9,92 eurove në Irlandë. Dy vende që vitet e fundit kanë futur rritje të forta çmimesh për duhanin dhe, siç përfundojnë ekspertët, në të dyja është regjistruar një rënie e ndjeshme e numrit të duhanpirësve të rregullt.