Ballina Politika DENONCIMI/ Orest Berberi: Sako firmos një marrëveshje të re me Fondacionin AADF,...

DENONCIMI/ Orest Berberi: Sako firmos një marrëveshje të re me Fondacionin AADF, duke shpallur një projekt ‘tjetër’ për të njëjtën zonë

118
0

Anëtari i Kryesisë së FRPD, Orest Berberi, ka hedhur akuza të forta ndaj Bashkisë Durrës dhe qeverisë për një aferë që prek fondet e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019. Sipas tij, një projekt i përfunduar në shkurt 2021 nga studiot shqiptare ‘SON Engineering & Construction’ dhe ‘A&E Engineering’, i financuar me paratë e taksapaguesve europianë, është injoruar për të favorizuar një marrëveshje të re me Fondacionin AADF.

“Ky është një projekt i tipit koncesionar, ku AADF shpallet si donator me 6.7 milionë euro, por që do të përfitojë trefishin e kësaj shume brenda 15 viteve, ndërsa qytetarët e Durrësit humbasin pronat e tyre pa u pyetur,” tha Berberi gjatë deklaratës për shtyp. Berberi ngriti pyetje mbi shpenzimin e fondeve publike dhe transparencën e procesit, duke kërkuar hetim të menjëhershëm nga SPAK dhe ndalimin e çdo veprimi që cenon pronat e qytetarëve pa konsultim publik.

Ai gjithashtu akuzoi për përgjegjësi kryetaren e Bashkisë Emiriana Sako, kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrat e Kulturës për mbështetje të këtyre veprimeve, duke i cilësuar si një skemë që po shkatërron pronën dhe trashëgiminë e qytetarëve të Durrësit. Partia Demokratike dhe FRPD kërkojnë transparencë të plotë mbi fondet e tërmetit, kontroll të rreptë mbi projektet e mbivendosura dhe mbrojtje të pronave dhe dinjitetit të qytetarëve.

DENONCIMI

Një tjetër aferë e rëndë po ndodh në sytë e të gjithëve, në zemër të Durrësit — një skemë mashtrimi, mbivendosjesh dhe abuzimesh me fondet publike, që ka vetëm një përfitues: pushtetin dhe klientelën e tij, në kurriz të qytetarëve.

Në vitin 2020, kur Shqipëria ishte në mbyllje totale për shkak të pandemisë, Bashkia Durrës nisi një projekt të rëndësishëm rindërtimi me fondet e tërmetit të vitit 2019, në bashkëpunim me studion ‘SON Engineering & Construction’ dhe ‘A&E Engineering’.

Ky projekt, i përfunduar në shkurt 2021, u financua me paratë e taksapaguesve europianë dhe ishte parashikuar të shërbente për rindërtimin dhe ringjalljen urbane të zonës A të qytetit të Durrësit.

Por çfarë ndodhi më pas?

Në vend që ky projekt të zbatohej, kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, vendosi të firmosë një marrëveshje të re me Fondacionin AADF, duke shpallur një projekt ‘tjetër’ për të njëjtën zonë, me të njëjtin qëllim, por me fonde dhe interesa krejt të ndryshme.

Pyetjet janë të qarta, të drejta dhe kërkojnë përgjigje publike:

Pse nuk u mor për bazë projekti i përfunduar në shkurt 2021?

Pse u shpërfill puna e bërë nga studiot shqiptare dhe fondet publike të rindërtimit?

Ku përfunduan paratë e dedikuara për dëmet e tërmetit në zonën A të Durrësit?

Dhe, më e rëndësishmja: Me çfarë fondesh u pagua studioja e projektimit, nëse projekti i tyre u hodh poshtë pa asnjë sqarim?

Në emër të transparencës, qytetarët e Durrësit kanë të drejtë ta dinë të vërtetën! Sepse sot, në vend që të rindërtohet ajo që u shkatërrua nga termeti, po shkatërrohet ajo që ka mbetur, nën maskën e ‘zhvillimit urban’ dhe ‘interesit publik’.

Në realitet, kemi të bëjmë me një projekt të tipit koncesionar, ku AADF shpallet si ‘donator’ me një shumë prej 6.7 milionë eurosh, por që, sipas vetë parashikimeve të tyre, do të përfitojnë trefishin e kësaj shume brenda 15 viteve. Ndërsa qytetarët, ata që humbën gjithçka në tërmet, sot po humbasin edhe pronën e fundit që u ka mbetur, pa u pyetur, pa u dëgjuar, dhe pa u ofruar asnjë formë negocimi, duke iu rrëmbyer pronat!

Ky është krim urban dhe ekonomik i mbuluar me fjali boshe për ‘rilindje kulturore’ dhe ‘rigjallërim qytetar’. Eshtë grabitje e pronës private dhe përvetësim i pasurive publike, me bekimin dhe firmën e atyre që duhet t’i mbronin qytetarët.

Përgjegjës për këtë aferë janë: Emiriana Sako, Kryetare e Bashkisë Durrës, që firmosi marrëveshjen duke injoruar projektin ekzistues; Edi Rama, Kryeministër, i cili me heshtjen dhe miratimin e tij ka bërë të mundur çdo abuzim me fondet e rindërtimit; Blendi Gonxhja, Ministër i Kulturës, që ka vënë vulën institucionale për këtë shkatërrim; Elva Margariti, ish-Ministre e Kulturës, e cila nisi këtë zinxhir vendimesh pa transparencë dhe si propagande masive e fushatës elektorale!

Të katër janë bashkëpërgjegjës për një skemë që po shkatërron pronën, trashëgiminë dhe nëpërkëmb dinjitetin e qytetarëve të Durrësit.

Partia Demokratike kërkon:

Transparencë të plotë mbi fondet e tërmetit dhe marrëveshjen me AADF-në;

Hetim të menjëhershëm nga SPAK mbi financimin e projekteve të mbivendosura;

Ndalimin e çdo veprimi që cenon pronat e qytetarëve pa proces të drejtë dhe konsultim publik. Durrësi nuk ka nevojë për ‘donacione’ që fshehin interesa, por për drejtësi, llogaridhënie dhe dinjitet.