Gjashtë emigrantë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën pas një aksidenti gjatë një ndjekjeje policore pranë qytetit të Burgasit në Detin e Zi, njofton Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA).
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, makina me targa rumune që transportonte dhjetë persona ra në një liqen pasi shoferi refuzoi të ndalonte për kontroll gjatë një ndjekjeje mbrëmjen e 6 nëntorit. Shefi i policisë kufitare, Anton Zlatanov, tha për “BTV” se policia tentoi ta ndalonte makinën për herë të parë në orën 21:30, por shoferi nuk iu bind.
Pas dy përpjekjeve të tjera për të ndaluar automjetin, makina doli nga rruga në hyrje të Burgasit dhe përfundoi në liqen. Gjashtë emigrantët vdiqën në vend, ndërsa shoferi rumun dhe tre emigrantë të tjerë mbijetuan dhe morën ndihmën e parë. Të mbijetuarit besohet të jenë nga Afganistani.
Që nga viti 2015, vendet e Ballkanit janë bërë pika tranziti për refugjatët dhe migrantët nga Lindja e Mesme, Afganistani, Azia dhe Afrika, të cilët përpiqen të arrijnë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Autoritetet rumune ende nuk kanë konfirmuar raportet mbi aksidentin fatal.







