Ballina Bota Elita e Nju Jorkut shpërngulet në Florida pas fitores së Mamdanit

Elita e Nju Jorkut shpërngulet në Florida pas fitores së Mamdanit

78
0

Pas fitores së Zohran Mamdanit si kryetar bashkie i Nju Jorkut, shumë milionerë po planifikojnë të largohen nga qyteti, pasi politikani socialist ka premtuar të rrisë taksat për të pasurit dhe të ngrijë qiratë.

Mamdani, që mundi ish-guvernatorin Andrew Cuomo, u fokusua në uljen e kostos së jetesës, por planet e tij kanë shqetësuar bizneset dhe pronarët e pasur.

Agjenti i pasurive të paluajtshme Eric Benaim tha se po merr shumë telefonata nga klientë që duan të ikin nga Nju Jorku. Shumë prej tyre po shpërngulen në Miami, që shpesh quhet “lagjja e gjashtë” e qytetit. Aty, sipas afaristes Dina Goldentayer, kërkesat për blerje shtëpish nga banorë të Nju Jorkut janë rritur ndjeshëm. “Njerëzit janë të pakënaqur dhe duan të ndihen të sigurt në Floridën e Jugut, jo nën një regjim marksist,” tha ajo.

I njëjti trend po shihet edhe në qytete si Boca Raton, Nashville, Philadelphia dhe Wilmington, që po tërheqin kompani bankare e investitorë të pasur. John Boyd Jr, ekspert nga Florida, paralajmëroi se Nju Jorku mund të përballet me një “largim të dytë masiv”, pasi gjatë pandemisë humbi gjysmë milioni banorë dhe miliarda dollarë në të ardhura tatimore. “Për shumë drejtues kompanish, kjo është pika që derdhi gotën,” tha ai.

Një sondazh i JL Partners tregoi se rreth 9% e banorëve të Nju Jorkut do të largoheshin nëse Mamdani zgjidhej. “Nëse kjo ndodh në qendrën e kapitalizmit si Nju Jorku, mund të ketë pasoja globale,” shtoi Boyd.

Planet e Mamdanit për të rritur taksat me dy për qind për milionerët dhe për të ngrirë qiratë në apartamentet me qira të stabilizuara kanë shkaktuar zemërim në Wall Street. Ekspertët paralajmërojnë se ngrirja e qirave mund të çojë në rritje të qirave në tregun e lirë, pasi njerëzit nuk do të lëvizin nga banesat e tyre.

Ndërkohë, sipas zhvilluesit Greg Kraut, shumë hebrenj të pasur po shpërngulen në Connecticut-i për shkak të qëndrimeve të Mamdani ndaj Izraelit. Ai u kritikua pasi nuk dënoi sloganin “globalizo intifadën” dhe tha se do të arrestonte Benjamin Netanyahu-n nëse do të vinte në Nju Jork. Kraut tha se ka marrë dhjetëra oferta për të shitur shtëpinë dhe qindra thirrje nga biznesmenë që kërkojnë të largohen.

Boyd shtoi se ndryshe nga krizat e mëparshme, si 11 Shtatori apo pandemia, tani qyteti po përballet me një “ndryshim të thellë” politik dhe ekonomik, duke hyrë nën ndikimin e krahut më kundër biznesit të Partisë Demokrate.

Zohran Mamdani sapo ka marrë drejtimin e qytetit më të pasur të Amerikës dhe tani ka një sfidë të madhe për të fituar mbështetjen e njerëzve më të pasur dhe investitorëve të qytetit.