Drejtuesja e departamentit të arsimit të PD, Lili Sula ka deklaruar se Universiteti i Sporteve është një “fabrikë” diplomash të pavlefshme, për studentët. Gjatë një deklarate zyrtare nga zyrat e selisë blu, Sula u shpreh se në Universitetin e Sporteve të Tiranës ofrohen programe studimi, diplomat e të cilëve nuk njihen për të ushtruar profesionin. Ajo tha se programi i i studimit në Bachelor është 95 % i njëjtë me programin e Fizioterapisë dhe se vetëm në Shqipëri ndodh që programe të shkencave mjeksore, të ofrohen në një institucion sporti.
Deklarata e plotë:
Në Universitetin e Sporteve të Tiranës, institucion që financohet nga taksat e qytetarëve, prej disa vitesh ofrohen programe studimi, diplomat e të cilëve nuk njihen për të ushtruar profesionin dhe mundësi punësimi. Ditët e fundit, qindra studentë të Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit të US, kanë dalë në protestë, pasi me diplomat e lëshuara nga ky universitet, ata nuk mund të punësohen. Studentët e diplomuar në këtë Fakultet, pas mundimeve disa vjeçare në auditorë, përballjes me tarifa të larta, me vështirësi të shumta e abuzime të përsëritura brenda këtij institucioni, në vend të një diplome të merituar dhe të vlefshme, mbajnë në dorë një copë kartoni, tërësisht të pavlerë.
Programi i studimit në Bachelor është 95 % i njëjtë me programin e Fizioterapisë, dhe si e tillë i përket Institucioneve të Arsimit të Lartë që zhvillojnë programe studimi të fushës së shkencave mjekësore dhe ose tekniko shkencore dhe aspak atyre për edukim fizik e sporte. Që programe studimi të fushës së shkencave mjekësore, të ofrohen në një institucion sporti, kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë! Shkeljet, abuzimet dhe shpërdorimet e financave dhe të besimit të publikut që ndodhin në këtë Universitet, nuk kanë të ndalur!
Kujtojmë që Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit, që ka ofruar këto pseudo-diploma, vijon të drejtohet nga Robert Çima, i cili vetëm para pak kohësh është denoncuar nga media për shpërdorim flagrant të detyrës, ndërkohë që Rektori i Universitetit, në vend që të merrte masat sipas ligjit, gënjente publikun dhe vijon me pagesat e përmuajshme të plota të këtij Dekani. E gjithë kjo situatë, me pasoja për studentët, tregon degradimin që ndodh në Universitetet tona. Gjithashtu, kjo situatë, tregon se sa selektive, klienteliste, korruptuese dhe të pabesueshme janë procedurat e licencimit dhe të akreditimit të institucioneve dhe të programeve të studimit.
Si ka mundësi që Ministria e Arsimit, që ka miratuar hapjen e këtij Fakulteti dhe të këtyre programeve studimi, nuk është në dijeni që ato i përkasin fushave të studimit të Shkencave Mjekësore dhe jo atyre të Sportit?! Specialistët, teknikët e lartë dhe studiuesit e fushës së shkencave mjekësore, formohen e zhvillohen në institucione dhe struktura akademike të fushës së Mjekësisë dhe jo të Edukimit Fizik e Sportit. Kush mban përgjegjësi për këtë shkelje të ligjit në hapjen e Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit dhe programeve të studimit në Universitetin e Sporteve?
Partia Demokratike duke përshëndetur denoncimin dhe protestën e studentëve, i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që: të ndalojë menjëherë vijimin e mëtejshëm të këtij shpërdorimi në Universitetin e Sporteve dhe të marrë masat ligjore ndaj drejtuesve përgjegjës, të verifikojë dhe vlerësojë në mënyrë objektive organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë akademike të këtij institucioni, të gjejë menjëherë zgjidhjen ligjore që diplomat e lëshuara deri më tani për studentët, të mund të bëhen të vlefshme.







