Ballina Opinion Familja si busull, si barazi me rrënjë dhe me prova, jo “marketing...

Familja si busull, si barazi me rrënjë dhe me prova, jo “marketing shtetëror”!

108
0

Nga Arian Galdini 

E shkruaj këtë tekst nga një bindje e kthjellët konservatore se familja është busulla e Republikës dhe jeta është themeli i të drejtave.

Ligji nuk është ekran reklame, por mburojë e realitetit.

Në vend të kësaj mase, qeveria Rama ka zëvendësuar politikën me fjalor dhe procedurën me shfaqje, drafte që ndryshojnë kuptime brenda javës, seanca nate, formula “gjithëpërfshirjeje” pa tabelë krahasuese dhe pa vlerësim të ndikimit.

Barazia nuk bëhet me parulla, barazia tregohet me rezultat të verifikueshëm, me kod të qartë, me përfshirje të prindërimit, me buxhet për fëmijët nga lindja në tre vjeç, me urdhra mbrojtjeje të zbatueshëm dhe me matje periodike të publikuara.

Votimi i 6 nëntorit e nxori në pah një zakon të vjetër të keq, ligji u shndërrua në pasim topi mes qeverisë dhe opozitës për të prodhuar skena televizive, ndërsa debati thelbësor për natyrën e shoqërisë mbeti i paprekur.

Në vend të një tabele krahasuese (ç’ndryshon, ku dhe pse), të një Vlerësimi të Ndikimit të Rregullimit (VNRR) dhe të një dëgjimi serioz me prindër, mësues, pediatër e juristë, u pa një ngutje ceremoniale me fjalor që ndërrohet sipas panelit.

Ligje të tilla duken të forta natën, ditën, sapo përplasen me çerdhen e mbyllur, urdhrin e mbetur në zyrë apo nënën që humbet punën, tregojnë boshllëqet.

VNRR është “prova e zjarrit” për çdo ligj, pse duhet, cilat janë alternativat, sa kushton, kë prek, si zbatohet, si matet suksesi.

Pa këtë provë, ligjet bëhen për ekran, jo për jetë.

Në bazë të çdo rregullimi që prek familjen qëndron një e vërtetë antropologjike, jeta vjen nga një nënë dhe një baba.

Emërtimi i burrit dhe i gruas në kodet bazë (familjar, civil, statistikor) nuk përjashton askënd, ai ruan koordinatat mbi të cilat ndërtohen politikat familjare dhe statistikat demografike.

Në të njëjtën kohë, ndalimi i diskriminimit në punë dhe në shërbime për shprehje apo identitet duhet të jetë i plotë.

Ligji i mirë mbron realitetin pa fshirë fytyrat, dallimet natyrore nuk përdoren si alibi për të cenuar lirinë personale.

Fjalët e sakta janë ura midis jetës dhe ligjit. Seksi është realiteti trupor me të cilin vijmë në botë (femër/mashkull) dhe si i tillë mbetet kategori e pandryshueshme në kodet bazë.

Mbi këtë truall shoqëria ndërton gjininë, mënyrën si pret, normon dhe rrit rolet e burrit dhe të gruas, rolet lëvizin me kohën, profesionet dhe përgjegjësitë.

Së fundi, identiteti/shprehja gjinore është vetëpërkufizimi dhe paraqitja e një personi në hapësirën publike, këtu ndihet dinjiteti personal dhe liria e ndërgjegjes.

Ligji i mençur i mban të dalluara këto tri shtresa, ruan seksin si kategori juridike për familjen dhe statistikat, e sheh gjininë si fushë roli shoqëror, ndalon pa kompromis diskriminimin në punë e shërbime për identitet apo shprehje.

Kjo kornizë pajtohet me standardin europian, KEDNJ (neni 8, jeta private dhe familjare, neni 14, mosdiskriminimi), Karta e BE për të Drejtat Themelore (neni 21, mosdiskriminimi, neni 24, interesi më i lartë i fëmijës) dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës e përforcojnë këtë bashkëjetesë, dinjiteti personal dhe interesi i fëmijës nuk konkurrojnë, ata ecin bashkë.

Në praktikë, shumë sisteme të BE-së ruajnë “mashkull/femër, female/male” në regjistrat civilë dhe në kodin e familjes, ndërsa zbatojnë ligje të forta të mosdiskriminimit në punë dhe në shërbime.

Dallimi ontologjik nuk përdoret si justifikim për cenim dinjiteti.

Shteti i mirë forcon familjen, nuk e zëvendëson. Kjo është edhe etika e subsidiaritetit, sa herë preken kurrikulat, protokollet shëndetësore ose masat e tregut të punës, pyetja testuese duhet të jetë e thjeshtë, a lehtësohet prindërimi, a rritet përgjegjësia, a njihet sakrifica e përditshme.

Në këtë kuptim, ky është edhe një zbatim praktik i neoshqiptarizmit, prindërim me dinjitet, fëmijë që marrin kohë nga prindërit dhe shërbime nga shteti, gjuhë ligji e kthjellët.

Shumë gra nuk e matin barazinë me fjalor, por me jetë, siguri, urdhra mbrojtjeje të zbatueshme, pagë të drejtë, çerdhe ku mund të lënë fëmijët dhe të kthehen në punë.

Qeveria miratoi një ligj me spote, ndërsa shumë bashki kanë më pak çerdhe të hapura, maternitetet vuajnë mungesë stafi dhe urdhrat e mbrojtjes shpesh nuk ekzekutohen në afat.

Barazia nuk blihet me reklamë, ajo buxhetohet, matet dhe auditohet.

Si besimtar, besoj se jeta ka dinjitet prej fillimit. Politika nuk kërkon dënime, ajo kërkon mbështetje, këshillim para-abortal (jo detyrues për vendimin), kupon kujdesi për nënat pa përkrahje, strehë emergjente për shtatzëna, procedurë të shpejtë birësimi, garanci pune që askush të mos humbasë vendin për shkak të shtatzënisë.

Mbrojtja e jetës fillon te buxheti për nënën dhe fëmijën, fjalori e ndjek buxhetin, nuk e zëvendëson.

Që barazia të marrë trup, duhen katër shtylla.
Shtylla e parë, Kod i qartë, mbrojtje e plotë. Emërtimi i burrit dhe i gruas në kodet themelore ruan truallin normativ, ndalimi i çdo diskriminimi në punë dhe në shërbime për shkak të shprehjes apo identitetit mbron lirinë personale. Realiteti mbetet i pandryshueshëm, dinjiteti i secilit garantohet.

Shtylla e dytë, Prindërimi në tryezë.
Pranë Ministrisë së Arsimit nevojitet një këshill publik prindëror që mblidhet rregullisht, publikon paraprakisht çdo modul që prek trupin, familjen dhe edukimin seksual, jep opinion të dokumentuar në afat të shkurtër, dhe merr përgjigje të arsyetuar me shkrim po në afat.
Vendimi mbetet përgjegjësi e shtetit, përgjigjja e arsyetuar bëhet detyrim transparent.
Konfliktet parandalen me shpjegim, nuk ndizen me fshehje.

Shtylla e tretë, Koha që i kthehet fëmijës. Familjes i duhen politika të përditshme, orare të përshtatshme për prindërit e fëmijëve të vegjël, kuponë për kujdesin e hershëm që ulin barrën te nënat punëtore, leje prindërore e ndashme që nuk humbet kur njëri prind nuk e përdor, lehtësi tatimore për familjet që rrisin fëmijë.

Mbi të gjitha, një buxhet i shpallur, brenda tre vitesh të financohet kujdesi i hershëm për foshnjat dhe për fëmijët deri në tre vjeç në një nivel që i jep jetë çerdheve, ekipeve mbështetëse dhe shërbimeve të licencuara.

Fonde të tilla duhet të jepen si transfere të kushtëzuara për bashkitë, në varësi të dy treguesve të thjeshtë, (1) sa rritet pjesa e fëmijëve nga lindja deri në tre vjeç që kanë një vend të sigurt dhe të licencuar në çerdhe ose në një shërbim të zhvillimit të hershëm, me orë të mjaftueshme dhe cilësi të kontrolluar, (2) sa shpejt ekzekutohen urdhrat e mbrojtjes.

Pjesa e parë matet si përqindje mbi të gjithë fëmijët 0–36 muaj dhe peshohet me shenja cilësie (orët javore për fëmijë, raporti edukatore/fëmijë, kostoja për familjen, listat e pritjes, përhapja urbane/rurale), mbi një regjistër publik të certifikuar nga INSTAT. Pjesa e dytë kërkon ekzekutim brenda afatit, çdo vonesë institucionale sanksionohet dhe raportohet.

Shtylla e katërt, Matje e rreptë, publikim i rregullt. Barazia bëhet e besueshme kur tregohet me numra që prekin jetën, ngushtimi i hendekut të pagave mes grave dhe burrave, rritja e qasjes reale të fëmijëve të vegjël në kujdes të licencuar, koha e reagimit dhe cilësia e zbatimit të urdhrave të mbrojtjes; pjesëmarrja e grave në vendimmarrje.

Këta tregues përditësohen çdo stinë, certifikohen nga statistika zyrtare dhe auditohet çdo vit se ç’është bërë e ç’s’është bërë.

Nëse një institucion vonon publikimin, raporton në Kuvend.

Të gjitha numrat, arsyetimet dhe masat korrigjuese mblidhen në një faqe të vetme publike, që ta kuptojë çdo prind, çdo punonjës dhe çdo qytetar.

Nëse qeveria beson në barazi dhe në familje, kjo është korniza që duhej pranuar, seks i qartë në kod, i shoqëruar me ndalim të fortë të çdo diskriminimi; prindërim në tryezën e kurrikulave, financim i kujdesit të hershëm (0,7% e PBB brenda tre vitesh) me transfere të kushtëzuara, urdhra mbrojtjeje të ekzekutuar brenda 72 orëve, tregues tremujorë të certifikuar dhe të audituar.

Çdo gjë tjetër është “marketing shtetëror”.

Dita e 6 nëntorit tregoi se mund të mendojmë ndryshe, por duam të njëjtën gjë, fëmijë të mbrojtur, nëna të nderuara, baballarë të respektuar, shkollë që bashkëpunon me prindërit, ligj që mbron realitetin, politikë që e kthen barazinë nga deklarim në rezultat të verifikueshëm. Shoqëria i ka këto fytyra në shtëpi, ligji duhet t’i shohë.

Barazia që duam është barazi me rrënjë dhe me prova, ligj i qartë, procedurë e pastër, matje e rreptë, buxhet i përcaktuar.

Vetëm kështu familja ka nder dhe barazia ka frymë.

Kjo është politika që i bën nder gruas dhe burrit, fëmijës dhe shtëpisë, kjo është politika që një republikë serioze ia detyron vetes.