Ballina Aktualitet Incenerator i ri?/ Kjo bashki beson 2.9 mln euro në…

Incenerator i ri?/ Kjo bashki beson 2.9 mln euro në…

132
0

Bashkia e Durrësit, nën drejtimin e kryetares socialiste Emiriana Sako, ka nënshkruar këtë të premte një marrëveshje trevjeçare me vlerë 283.4 milionë lekë (rreth 2.9 milionë euro) me kompaninë “Integrated Energy” me seli në Holandë.

Sipas raportimeve, kjo marrëveshje është firmosur pa zhvilluar një procedurë tenderimi publik dhe në mungesë të plotë gare.

Kompania “Integrated Energy” operon në Shqipëri që prej vitit 2017 dhe është e njohur për përfshirjen e saj në marrëveshjet për ndërtimin e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan, projekte që kanë qenë objekt debatesh dhe hetimesh nga organet e drejtësisë.

Aktualisht, ajo është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për dyshime që lidhen me korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me këto projekte për menaxhimin e mbetjeve.

Megjithë akuzat dhe procedurat e hapura ndaj saj, kompania vijon të sigurojë kontrata të reja me institucionet publike. Kështu, edhe në rastin e fundit me Bashkinë e Durrësit, ajo do të jetë përgjegjëse për mbledhjen dhe asgjësimin e mbetjeve urbane të qytetit.

Ndërkohë, shembulli i inceneratorit të Tiranës mbetet domethënës, ku pavarësisht derdhjes së qindra milionë eurove, objekti nuk ka nisur ende ndërtimin dhe asnjë tullë nuk është vendosur ndërkohë që grumbujt e mbetjeve janë kthyer në male.