Nga Agron Gjekmarkaj
Klevis Balliu dje kishte zhveshur rrobat e robërisë dhe fort gjuante me armët e trimërisë bam e bum gjithë ditën mbi mazhorancën, saqë u duk se për një moment i mbylli të gjithë në tunelin e Llogarasë! Besarti i mbante arkën me fishekë, Bled Himçi mitrollozin.
Goja ju bë shkrumb, lypi ujë – fat që Ina Zhupa si Bubulina u gjend aty me një bucelë, ku buzët e thara u njomën.
Një nga tre “buajt” e parlamentarizmit, Niko ndeshkuesi i madh, e qorto-vi tri herë pastaj e debo-vi nga salla, por burrë i brishtë siç është, nga dhimbja edhe vetë qa-vi. Mu rënd vetja, mu trokar xhani i konfidoi shpirt dhëmshures Teze!
Jorushi i Tabakeve, ose Urushi siç zonja e dashur Jozefinë e thërret me përkëdheli, nga njëri sy nxirrte lot për mungesën e Gaz Bardhit, syrgjyn prej tre javësh, dhe nga tjetri i dilnin shkëndija me të cilat u ndez zjarri i betejës, sa Elda Hotit ngjitmas ju përzhitën qerpikët. Nga ai epizem u ngita edhe vetë nga shtrati i lëngatës, etheve e temperaturës, e në sallë buzë darke brofa për të admiruar qëndresën e saj. Belind Kelliçi me mjeshtrin Tom Alizoti mbanin frontin nga hilet e duahmanit aq sa Nikoqiri nga sikleti e thirri zoti Balluku!
Zeqineja ishte shtruar në një bisedë të karakterit erudit me Damo Gjiknurin si të barabartë! “Për ty kam respekt – i thoshte – se je me shkollë të lartë, ndërsa ai Ditmar noprani nuk më ka pëlqyer kurrë, guxon i jep mend edhe Babos, ne të dy jemi intelektualë, kemi shije të përbashkëta për letërsinë dhe filozofinë politike. Më ngazëlleve shumë kur citove Taon dhe taoizmin. A mos do të të këndoj një këngë nga të zonës së Fierit për respekt?”
Damo u shkryth – “Të lutem, jo” – kur ajo e kuptoi që ky e mori si kërcënim, herë pas here i thoshte “këndova ëë të piu e zeza”– dhe ai mblidhej grusht, e i thoshte tmerrit eja. Sara i shihte me xhelozi. Termeja nuk mbetej pas.
Ulësia është bërë hokatar i madh. Shfaqet mes grave dhe menjëherë dëgjohen hukama e kukurima hareje si krisma maliherri. Pastaj, si shofer taksie, çon e percjell njerëz sa aty-këtu.
Klosi, falë detyrimeve të prapambetura, pothuaj e kishte gdhirë firauni, rrinte me orë të tëra si i përhumbur dhe pa dëshira! Dilo Nasufi e kqyrte me dhimbshuri e i thoshte një të panjohuri buçko ulur në krah: “I duhet parë kripa se po i merr mendja teposhtë.”
Kiduina pyeste Taon: “Pse ky xhaxhi i thinjur që shkruan gjasme ca qyfyre të pakuptueshme, si gjepura, ka thënë se unë dashkam t’i zë vendin Etildës?”
Tao, simbol i urtësisë dhe baba i eksperiencës, njeri që ka parë botë me sy e hequr shumë, mori frymë thellë dhe pasi lëshoi një ehhhh të zgjatur… i tha: “Vendet nuk janë tonat, ato janë të Babos dhe unë si biçim qehajaji i tij jam këtu. Ai pastaj bën sadakatë sipas nevojës… Etilda rron në zemrat tona, tani është pranë atij. Ajo një ditë mund të rikthehet. Ti mos bjer pre e tentacioneve e vaniteteve, se ai është i poshtër, reaksionar.”
Enno Bozdo lëshonte gjithë ditën pasthirrma tragjike dhe këngë lufte, mërmëriste nën zë: tamburxhi, tamburxhi. Ivi Kaso, tek e dëgjonte, mrrylej e rënkonte: qameti, qameti, se pashë një ditë të bardhë!”
Strazimiri më rri rëndë me gjithë përpjekjet e mia për t’u dukur i dashur. Nuk ishte shumicën e kohës as Kryezëvendës Lideri Flamur që më ka marrë nën mbrojtje. Duket sikur nga çasti në çast do të më fusë një dackë për të shkuarën time trockiste. Edhe Albana me Teto Adrianën tashmë më kanë xhan, ai jo që jo, i uruari.
“Bualli” tjetër, Toni, puritan i lindur, dje mbajti barrë të rëndë! Lëronte arat e parlamentarizmit por më shumë ngjante me Judën që Krishtin shiti për 30 aspra, ku litari i të cilit i kishte mbetur rreth qafës dhe nga shtrengimi i tij në qafë leshon rreke fjalesh pa kuptim.
Ndoshta atëherë kur askush nuk e mendonte, një idil mbresëlënës po konsumohej mes Bledion Nallbatit dhe Mamicës së Arberisë! “Nëm një cigare, Bledion aga” – i tha ajo me zë kumbues e syrin kokërr si neper balada!
Pa një pa dy, nxorri kutinë levendi, e me duart e veta ja drodhi, pastaj ja ndezi e i tha: “Merre, moj virane, terhiqe se me zemer ta dhashë!” Digjej ajo cingare si qiri shprese!
Bota është e atyre që digjen, mendoja, jo e atyre që ngrohen. Unë dhe Kostaqi mbetëm duke u ngrohur, s’u dogjëm kurrë.
Delina Brahimi, pasi kishte pritur minatorët e Spaçit, sikur mu duk njeri më i mirë – i thashë: “Po bëra tërbjet turqerinë, që atyre maleve s’ka kujtime të mira, do të mbaj me hatër në Kronikë!” Nuk ju duk pazar i keq.
Ogi u rikthye nga ekskursioni nëpër Tiranë, ishte hequr ca dhe bënte çmos bashkë me Lamellarin t’i fshiheshin “Kronikës”. “Ku të mbytemi” – i tha – “më ka quajtur ‘mbathës kuajsh’.” Ajo i dha të drejtë : “S’ke faj, të prish gjakun i nëmuri, por kështu fillon karriera – e nis me patkonjtë dhe një ditë mund të bëhesh kalores, dhe nuk i qahet halli kaloresit, se i varen këmbët.” Llari mendoi: sa shumë, yyyyyy sa shumë di Ogi.
Bardh Spahia ishte shqiptari i vetëm që asnjëherë nuk e kishte lexuar “Kronikën”, ndaj si i tillë ai sot hyri në të.
Të gjithë tek më shohin si jetim tek tavolina e qoshes në mejhanen e Kuvendit, më pyesin mua: “Ku është Salianji që me gajret të mbante?” Po as shënjti, as djalli që rrinë brenda tek i gjalli s’ja dinë këmbët atij – gdhihet në Selenicë e ngrys në Koplik, po ejvallah, fjalë e keqe s’i del kurrë nga goja qerratait, veç bekime shperndan sa per njerin aq per tjetrin!







