Spartak Ngjela
Ja pallatet i sheh? Ja, kjo është vepra jonë që kemi bërë e po vijojmë ta bëjmë në qytetet e mëdha të Shqipërisë.
Një ekspert ndërkombëtar para dy vjetësh më tha: Avokat e dini ju se eksporti i madh në dollarë dhe valutë evropiane që ka sot Shqipëria, vjen nga eksportimi juaj i madh i kanabisit dhe kokainës në Itali?
Dhe unë i thashë që e di, por menjëherë i drejtova edhe unë pyetjen time, duke i thënë:
Po ju si amerikanë, nuk e dini se Manhateni është ndërtuar me fitimet që kanë ardhur nga trafiku i kokainës në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vene të tjera rrotull jush?
Po e di, më tha ai, duke shtuar: dhe kjo është e vërtetë, por në thelb tregti është edhe kjo.
Atëherë, skeni përse ta zgjatim më tej. I thashë unë.
Dhe biseda këtu u mbyll.
Por, po këto ditë, një trafikant që ishte kthyer nga emigrimi po shihte me kujdes se ku të investonte për të ndërtuar një hotel ne Tiranë ose në Durrës.
Dhe ishte në kërkim të vendit për hotelin, kur Interpoli e arrestoi në bulevardin e madh të Tiranës.
E morën me një fletë arresti dhe kërkuan që ta pyesnin në zyrat e prokurorisë, sepse fleta e arrestit ishte lëshuar nga Prokuroria e Tiranës.
I arrestuari i telefonoi avokatit të tij, dhe ai arriti te prokuroria sapo kish mbërritur edhe i arrestuari.
Trafikanti në çast i tha avokatit: sa dhe kur?
Kjo ishte parulla pyetëse e korrupsionit në prokurorinë e Tiranës.
Njëqind mijë dhe tani, i tha avokati.
Dhe trafikanti e shkroi shumën në numrin e telefonit, ku ai duhej të shkonte e ti merrte paratë, sepse trafikanti me gjuhën e tyre, i kishte thënë partnerit të tij gjithçka.
Dhe avokati shkoi, i mori 100 mijë euro, i dha në vendin ku personi po priste, përpara prokurorisë, dhe u ul te kafeneja përballë.
Pas një ore e gjysmë trafikanti doli nga arresti dhe po zbriste nga shkallët e prokurorisë, ku po e priste makina Benz sport dhe e zezë.
Dole, i tha shoku i tij, që gjithashtu edhe ai një trafikant kokaine ishte.
Po sapo dola, i tha trafikanti; por pas pak çastesh e pyeti me një ton sarkastik:
Ende ti Miti nuk je bindur se sot Shqipërinë po e drejton kanabisi dhe droga?
Po, i tha Miti, sepse ky në fakt është sot vetë suksesi i jetës sonë në Shqipëri, por edhe i shqiptarëve, sepse kanabisi është bërë nxitja e zhvillimit tonë në këta njëzet vitet e fundit.
Dhe ndërkaq ai i tregoi pallatet me dorë, me një lloj kënaqësie që i shndritte në fytyrë, duke i thënë:
Ja pallatet i sheh? Ja, kjo është vepra jonë që kemi bërë e po vijojmë ta bëjmë në qytetet e mëdha të Shqipërisë.
I shoh, i tha ai, dhe e kam ditur që ju po i bëni këta pallate të bukur në të gjitha qytetet e mëdhenj të Shqipërisë.
Po edhe kjo punë prodhuese është, o Miti! dhe edhe ne me sakrifica, e me rrezikun e burgut, por erdhe me rrezikun e vrasjes, po i bëjmë.
Dhe na keni shpëtuar të gjithëve, i tha Miti.
Prit dhe ca, o Miti, pritni se do të shihni me sytë tuaj që ndryshimi po vjen nga ne që na thonë trafikantë. Dhe nuk po i kuptojmë këta gazetarë: janë të bërë kundër nesh nga armiqtë tanë shekullorë, apo janë ca cmirëzinj që nuk e kuptojnë dot se kjo rritje e shpejtë e mirëqenies në Shqipëri po vjen nga trafiku i drogës që po bëjmë ne; dhe ne nuk jemi pak, ta dish.
E di që jeni shumë, i tha Miti, dhe ekspertët po thonë se trafiku i narkotikëve po sjell në Shqipëri miliarda.
Por mirë o Miti, por prandaj dhe po ju lënë të punonitë lirshëm, sepse e dinë këtë që ti sapo ma the.
Kjo është e vetmja rrugë e zhvillimit për ne.
Të shohim Miti, se kjo, a do të zgjasë më tej?







