Ballina Sport Martini, sulm kundër të gjithëve

Martini, sulm kundër të gjithëve

61
0

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, në një konferencë të pazakontë për shtyp, është hedhur në sulm frontal kundër të gjithëve.

Duke u shprehur se Vllaznia ka zot, Martini ka sulmuar kolegët për presion ndaj arbitrave, arbitrat për tolerancë, si dhe ka premtuar se në ndeshjen me Dinamon atmosfera nuk do të jetë miqësore, me 11 gladiatorë në fushë.

Vllaznia do të ndeshet me Dinamon për javën e 11-të të kampionatit, por trajneri kuqeblu Edi Martini, në një dalje të rrallë në konferencën për shtyp, e ka nisur atë në mënyrë të pazakontë, me sulm për kolegët, për presion kundër arbitrave, por edhe me kritika për këta të fundit që kanë toleruar, duke kujtuar se vetë Martini është ndëshkuar me karton të kuq që në javën e parë të kampionatit.

“Janë disa situata që nuk më pëlqejnë prej kolegëve të mi trajnera, sepse e shikoj që në çdo pasndeshje sulmojnë arbitrat. Njëri thotë nuk do abitrosh më, tjetri thotë kamera, tjetri…

Dmth është një presion që po i bëhet arbitrave në maksimum.

Unë jam ndëshkuar me karton të kuq për asgjë, ndeshjen e parë të kampionatit. Shoh që këto trajnerë që bërtasin, munden të bëjnë gjithçka, nuk po dënohen, nuk po marrin karton të kuq, edhe me fjalët që thonë pas intervistave. Ka raste që duhet të kuptojnë që edhe Shkodra ka zot”.

“Për ndeshjen e fundit me Egnatian.

Nuk e kuptoj, gjyqtarët e FIFA-s duhet të kenë autoritet pak më tepër.

Të shash nga fillimi deri në fund, siç ishte rasti i Aleksit që shante pafund edhe arbitrat, por edhe në pushimin e ndeshjes i bënin presion arbitrave, apo edhe pas ndeshjes.

Nuk më pëlqejnë, duhet të kenë më autoritet sepse pastaj agravohet situata dhe nuk është mirë për futbollin shqiptar”.

Duke kaluar te ndeshja e së shtunës, Martini tha se Dinamo ka ekip të mirë, por ashtu si Egnatia është e trembur nga Vllaznia.

“Dinamo ka një ekip të mirë, një ekip që pretendon, por e shoh që janë të trembur, si Egnatia si dhe Dinamo. Mënyra si ata komunikojnë pas ndeshjeve, në konferenca për shtyp janë shumë të trembur sepse e dinë që ne jemi këtu dhe jemi më të mirë se ata”.

Kundër bluve, Martini parashikon një ndeshje të egër dhe paralajmëron se atmosfera nuk do të jetë aspak miqësore si herët e tjera.

“Pres një ndeshje shumë të egër, ta harrojnë ata që mendojnë se në Shkodër luhet një futboll shumë i hapur, të duartroket publiku. Ta harrojnë se po gjejnë një ambjent të tillë, sepsekemi 11 gladiatorë në fushë që janë gati për gjithçka”.

Pasi cilësoi lojtarët e tij si më të mirë, Martini shtoi se ka ndeshje kur edhe duhet luajtur pisët, për të marrë me çdo kusht rezultatin.

“Djemtë e mi janë më të mirët, duhet të mos kemi frikë për të fituar. Ka momente që duhet të luash pisët, duhet të luash në çdo mënyrë për ta fituar atë ndeshje. Ne realisht nuk jemi, jemi një ekip fair play, nuk bëjmë veprime të tilla, por gjithsesi është një gjë që duhet riparuar dhe shpresojmë që ta bëjmë”, ka përfunduar Martini.