Kur të dielën, më 2 nëntor, përkrahësit dhe kundërshtarët e pushtetit në Serbi u gjendën përballë njëri-tjetrit, në dhe rreth kampit të tendave, të quajtur në popull “Qaciland”, në qendër të Beogradit, kamerat e xhiruan në mesin e mbështetësve të qeverisë një burrë, i cili u dërgoi kundërshtarëve mesazh të qartë duke e bërë me dorë gjestin e prerjes së fytit.
Duke përdorur mjete nga burime të hapura, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) ka gjetur se burri që kërcënoi me prerjen e qafës është Zllatko Novkoviç, shtetas amerikan me origjinë serbe, i cili ka edhe pasaportë ruse.
Fotografitë e pasaportave që zotëron ai i ka publikuar vetë në rrjetet sociale.
Në rrjete sociale u shpërndanë shpejt incizime arkivore nga koha e luftës në Bosnje, ku Novkoviç shfaqet mes pjesëtarëve të formacioneve paramilitare çetnike në Tërnovë dhe në Igman, afër Sarajevës.
Në rrjetet sociale ai pretendon se ka qenë në Mariupol, qytetin ukrainas, i cili u shkatërrua nga forcat ruse në vitin e parë të pushtimit, dhe se ka vizituar formacionet ruse në Donbas e Sevastopol.
Ai është xhiruar pranë ndërtesës së Kuvendit të Serbisë, pikërisht në ditën kur Dijana Hërka, nëna e një prej viktimave të aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, nisi grevën e urisë.
Hërka, e cila iu bashkua protestave masive që po vazhdojnë në Serbi qysh prej nëntorit 2024, dhe përmes së cilave kërkohet përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e çatisë, kërkon gjithashtu lirimin e të gjithë të ndaluarve në demonstrata.
Asaj nuk iu lejua të protestonte para Kuvendit. Policia dhe grupet proqeveritare, të cilat disa muaj më parë e mbyllën këtë pjesë të Beogradit dhe ngritën kampin me tenda, e penguan atë.
Dita e parë e protestës së saj u zhvillua në atmosferë tensioni. Mes dy palëve fluturonin shishe, pjesë të gardhit metalik dhe mjete piroteknike, ndërsa nga “Qacilandi” dëgjoheshin këngë nacionaliste. Në atë anë ndodhej edhe Novkoviçi.
Partia Përparimtare Serbe, parti në pushtet, nuk është deklaruar lidhur me veprimet e Zllatko Novkoviçit.
Kush është Zllatko Novkoviç?
Zllatko Novkoviç, 62 vjeç, i njohur edhe me nofkën Zak Novak, ka lindur në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 2021, ai njoftoi në rrjetet sociale se kishte marrë pasaportë ruse dhe, sipas profilit të tij në Facebook, më 23 prill 2015, është zhvendosur në rajonin e Donjeckut në lindje të Ukrainës.
Në prill të vitit 2014, separatistët prorusë, me mbështetjen e Rusisë, pushtuan ndërtesat qeveritare në disa qytete të Donjeckut dhe shpallën të ashtuquajturën Republika Popullore e Donjeckut (DNR).
Nga fotografitë që ai publikon në rrjetet sociale, të cilat REL-i i ka verifikuar gjeografikisht, mund të vihet në përfundim se ato janë bërë në territoret e pushtuara të Ukrainës.
Në rrjetet sociale ai deklaron se është pjesë e të ashtuquajturit Batalioni Humanitar “Novorosija”.
Moska e përdor termin “Novorosija” për zonat e pushtuara në lindje dhe jug të Ukrainës.
Novkoviq shpesh fotografohet me simbolet e kësaj zone dhe në disa intervista për media që promovojnë pushtimin rus ka thënë se “rusët e kanë pritur me zemër të hapur”, edhe pse është shtetas amerikan.
Ai thotë se në Donbas punon si gazetar, por edhe se është rezervist i ushtrisë ruse.
Në rrjetin rus VKontakte, ai prezantohet si vullnetar serb nga SHBA-të “që dikur ka luftuar kundër shqiptarëve dhe kroatëve, e tani kundër ukrainasve”.
REL-i nuk ka të dhëna që konfirmojnë pjesëmarrjen e tij në luftën në Kosovë apo Kroaci, përveç asaj në Bosnje.
Në krye të profilit të tij në VK ndodhet një kolazh fotografish nga luftimet në Bosnje, si dhe një fotografi me Alexei Milchakovin, udhëheqësin e njësisë paramilitare ruse Rusich, e lidhur me grupin mercenar Wagner.
Milchakovi është i dyshuar për krime lufte dhe që nga viti 2022 është nën sanksione të BE-së, SHBA-së, Britanisë, Kanadasë dhe vendeve të tjera.
Milchakovi propagandon ideologji ekstremiste nacionaliste, ndërsa njësia e tij është e njohur për dokumentimin e torturave dhe vrasjes së të burgosurve.
Nuk dihet cilat janë lidhjet konkrete të Novkoviçit me këtë njësi dhe nëse ai vetë ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime në Ukrainë.
Fotografitë tregojnë vizita në zonat e luftës, por nuk ka dëshmi që ai ka marrë pjesë aktive në betejë.
Ai ka fotografi edhe me Dejan Beriçin, për të cilin REL-i më herët ka raportuar se luftonte për separatistët prorusë në Donjeck dhe konsiderohet si një nga rekrutuesit kryesorë të luftëtarëve nga Ballkani.
Sipas publikimeve të tij, Novkoviç në Ukrainë ka dhënë mësim në gjuhën angleze në kampin Luçistin në Krime.
Sipas raportit të Almende, një organizatë ukrainase për të drejtat e njeriut, ky kamp përshkruhet si vend ku zhvillohen aktivitete “ushtarako-patriotike” dhe “riedukuese” të orientuara në ndryshimin e identitetit kombëtar të fëmijëve dhe integrimin e tyre në sistemin e vlerave ruse.
Fotot e këtij kampi të publikuara nga ai datojnë nga vitet 2018 dhe 2019.
Pjesëmarrja në luftën në Bosnje
Gjatë viteve ’90 ai ishte vullnetar në formacionet paramilitare që vepronin në Sarajevë.
Në profilin e tij në Instagram gjendet një fotografi e një mirënjohjeje të ashtuquajturës Brigada Çetnike e Sarajevës së Re nga viti 1993, ku thuhet se ai ka marrë pjesë disa muaj në luftimet pranë Sarajevës, i cili në atë kohë ishte nën rrethim nga forcat serbe, dhe se për këtë arsye i është dhënë grada e kapitenit çetnik.
Dokumentin e ka firmosur Sllavko Alleksiç, komandant paramilitar dhe figurë e njohur e radikalëve serbë në atë periudhë.
Sipas publikimeve të tij, Novkoviç pretendon se ka qenë truproja e Alleksiçit.
Analiza e profileve të tij tregon se nga viti 2023 ai ndodhet në Beograd.
Në muajt e fundit ai është aktiv në tubimet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), partisë së presidentit Aleksandar Vuçiç.
Edhe gjatë qëndrimit në Rusi ai shpërndante video të takimeve të SNS-së para zgjedhjeve të vitit 2022 dhe disa herë ka marrë pjesë në fushatat zgjedhore të Vladimir Putinit.
Mbështetja për Vuçiçin dhe roli në “Qaciland”
“Ju duam dhe ju mbështesim, president Vuçiç! Vdekje tradhtarëve, plehrave nazistë të opozitës!” shkroi ai në Instagram në gusht të këtij viti, duke bashkëngjitur një fotografi nga kampi në Parkun e Pionierëve.
Kampi i improvizuar me tenda, i quajtur në publik “Qaciland”, ndodhet në Parkun e Pionierëve në qendër të Beogradit, midis selisë së institucioneve shtetërore, dhe u ngrit në fillim të marsit 2025.
Grupi joformal i ashtuquajtur Studentët 2.0 e vendosi kampin me kërkesën për t’i dhënë fund bllokadës studentore të fakulteteve, dhe normalizimit të mësimit. Edhe pse bllokada përfundoi, kampi mbeti dhe u zgjerua edhe përreth Kuvendit.
Sipas raportimeve të REL-it, kampin gjatë tetë muajve të fundit e kanë mbështetur ish-pjesëtarë të njësive speciale të përfshira në vrasjen e kryeministrit Zoran Gjingjiç, udhëheqës të organizatave proruse dhe ekstremiste, si dhe persona të dënuar për krime të rënda.
Në një nga deklaratat e tij të fundit, presidenti Vuçiç e quajti “Qacilandin” si “simbol të ekzistencës së Serbisë, simbol të lirisë dhe të rezistencës”.
Qytetarëve prej muajsh u është pamundësuar kalimi nëpër atë zonë, ndërsa raportimet e mediave tregojnë se personat në kamp shpesh kanë penguar dhe sulmuar ekipet e gazetarëve në kryerjen e punës së tyre.







