Ballina Politika ‘Paketa e maleve’ e Ramës kapërcen kufijtë, ‘merr’ edhe bregdetin e kodrinat

‘Paketa e maleve’ e Ramës kapërcen kufijtë, ‘merr’ edhe bregdetin e kodrinat

97
0

Nga Sebi Alla

‘Paketa e Maleve do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme’, u shpreh kryeministri Rama në një bisedë me banorët e Thethit, më 30 prill të vitit të kaluar.

Nga malet tek fushat 

Por nisma ‘Paketa e Maleve’ e nxitur dhe argumentuar si mënyrë për të zhvilluar agroturizmin në zonat malore, po zbret në fusha, bregdet dhe kodrina.

‘Durrësi ka territore të tëra që janë kodrinore, ku ka agroturizëm. E njëjta gjë vlen pa diskutim, mbase edhe më shumë për Lezhën’, tha Rama, në një takim me 61 kryebashkiakët e vendit më 23 tetor të këtij viti, ku specifikisht u kërkoi të nisnin hartat e zonave të përcaktuara për nismën ‘Paketa e Maleve’.

Në të gjithë vendin, nga korriku i këtij viti deri në fundin e muajit tetor, ka një numër të madh aplikimesh.

‘Numri i shprehjeve të interesit nga data 11 korrik deri në datë 29.10.2025 është 5520 në të gjithë territorin’, thotë në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Agjencia për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore (amvv).

Po kjo agjenci, konfirmon se aplikimet janë në të gjithë vendin. ‘Shprehjet e interesit janë të shtrira në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore’, konfirmon (amvv).

Risku 

Rreziku që ‘Paketa e Maleve’ të aplikohet kudo, përfshi edhe zonat me zhvillim në bregdet, zona fushore apo kodrinore, është i lartë, duke u fshehur pas maleve…

‘Janë të gjitha gjasat që ky akt ligjor i Kuvendit të përdoret nga oligarkia, lobistët klientë të qeverisë dhe krimi i organizuar si një mjet për justifikimin e agresionit të tyre mbi gjithçka publike dhe vitet e fundit edhe mbi një pronë private, siç mund të jetë pjesërisht edhe ky akt’, shprehet për Faktoje, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.

Hartat e zgjeruara

Në një komunikim me 61 kryetarët e bashkive të vendit, kryeministri Edi Rama u kërkoi me ngulm që të nisin sa më shpejt hartat e zonave prioritare për ‘Paketën e Maleve’, një nismë ligjore që u afishua si mundësi për zhvillimin e zonave malore.

‘Këtu s’ka të majtë të djathtë, se kjo është ndarje që nuk ka pikë rëndësie kur vjen puna tek puna, kështu që ju lutem shumë fokusohuni shumë fort në këtë pikë, hartat. Thjesht fare, pa asnjë komplikim, territore që nuk janë ligjërisht të pandërtueshme dhe që janë territoret malore, territoret rurale’, tha Rama.

Shqetësimit të disa kryebashkiakëve që nuk kuptonin se për cilat zona do të nisnin hartat, pasi në një pjesë të territorit ka edhe ‘zona të mbrojtura’, apo janë fushore dhe kodrinore, kryeministri Rama ua shprehu qartë që të nisin hartat sa më të gjera, pasi përpunimi do kalonte në ‘faza tjera’, duke përfshirë edhe ministritë.

‘Unë ju sugjeroj, që të mos vijë puna prapë për një vonesë tjetër, paralelisht me hartat, të cilat e përsëris bëjini fare të thjeshta, mos u nisni thjesht nga ku keni shprehjet e interesit se mund të vijë një shprehje interesi nesër në një kodër tjetër që nuk e ke përfshirë, dhe pastaj do t’i thuash atij, shiko se nuk je te zona e zhvillimit, sa të bëhet harta. Bëjeni të gjerë hartën dhe ngrijeni një task-forcë menjëherë që të merret personalisht me të gjithë ata njerëz që janë të interesuar’, tha Rama.

‘Ulen’ malet

Me konceptin zonë malore, kuptohen territore mbi 900 metra mbi nivelin e detit, por duke iu referuar të dhënave zyrtare mbi aplikimet, por edhe vetë kërkesës së kryeministrit Rama që hartat të sillen nga të 61 bashkitë, fushore, kodrinore dhe malore, ekspertët shprehin shqetësimin se kjo nismë do të shfrytëzohet për ndërtime në çdo zonë.

‘Nga leximi dhe interpretimi literal i këtij parashikimi duket se nuk janë subjekt i këtij projektligji vetëm zonat malore, por edhe pjesë tjetër e territorit të bashkisë’, thotë eksperti i ekonomisë Preçi.

Sipas tij, qëllimet e deklaruara të ligjit nuk përputhen tërësisht me qëllimet reale, qëllime të cilat duket se tejkalojnë zonat e synuara.

‘Përmbajtja e projektligjit krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara’, thekson ai.

Qëllimi

‘Paketa e Maleve është një nismë ligjore dhe zhvillimore e Qeverisë Shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit’, thuhet në faqen zyrtare të hapur pikërisht për këtë nismë.

Durrësi është deri në 200 metra mbi nivelin e detit, Kavaja edhe më pak deri në 34 metra mbi nivelin e detit, Bashkia Lezhë ndodhet në një lartësi mesatare 413 metra mbi nivelin e detit, por edhe ne një lartësi maksimale 2121m (maja e Kunorës Mirditë).

Po ashtu bashki si Lushnja, 200 metra mbi nivelin e detit, Divjaka deri në 5 metra mbi nivelin e detit, Fieri 100 metra maksimalja mbi nivelin e detit apo Pogradeci 700 metra mbi nivelin e detit, që janë në zona preferenciale për ndërtim, nuk janë në pozita gjeografike për tu quajtur ‘zona malore’.

Aplikimet

Megjithatë në këto bashki ka aplikime për ndërtime në pyje, kullota apo livadhe që rezultojnë në zërin kadastral ‘tokë shtet’, por që pretendohet se është e familjeve dhe individëve të ndryshëm, banorë rezidencial apo ish banorë.

Ligji lë hapësira interpretimi

Në nenin e parë të ligjit 20/2025 për ‘Paketën e Maleve’, thuhet se: ‘Ky ligj ka për qëllim tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik apo turistik në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, përmes kalimit të pronësisë së pronës së paluajtshme shtetërore tek individët dhe/ose personat fizikë e juridikë posedues jopronar me destinacion investimin në projekte që mundësojnë rimëkëmbjen ekonomike’.

Koncepti ‘ekonomi malore’ ndonëse është e sanksionuar në ligj, sërish aplikimet janë shtrirë në të gjithë vendin, madje të shumta janë në zonat bregdetare, fushore dhe kodrinore, veçanërisht në bashki ku sektori i turizmit dhe ndërtimet janë me intensitet të lartë.

‘Përmbajtja e përkufizimit është e përgjithshme dhe shumë e zgjeruar për të qenë përkufizim. Kjo paqartësi shtohet nga leximi i pikës 1 të Nenit 4 ‘Përcaktimi i zonave me prioritet zhvillimi’ i cili në titull e ka hequr referencën tek zonat malore dhe për më shumë parashikon që ‘Ministri përgjegjës për pushtetin vendor, me kërkesë të argumentuar të bashkisë kompetente, mund t’i propozojë Këshillit të Ministrave shpalljen e territorit të bashkisë apo të pjesës malore të atij territori si zonë zhvillimi’, thotë Preçi.

Prona

‘Kjo nuk është thirrje që: ‘hajdeni se kanë dalë disa toka shtet, nëpër male dhe shkoni, kapini’. Thirrja është kush ka tokën e të parëve nëpër male, ta marrë ta gëzojë’, tha Rama.

Ndërsa Agjencia për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore, në përgjigjen për Faktoje, duke iu referuar ligjit saktëson se prona shtetërore mund tu nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë.

‘Në kuptim të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për pronat e paluajtshme të shtetit, llojet e pasurisë ‘pyll’, ‘kullotë’ ‘livadh’ nuk janë të patjetërsueshme dhe mund t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë sipas këtij ligji’, thotë (amvv).

‘Rreziku i konflikteve sociale është i mundshëm, ndonëse qeveria duket se e ka vënë fuqinë e vet ekzekutive gjerësisht në shërbime të grupeve të interesit të lidhura me të dhe pak ose më pak në shërbim të komuniteteve dhe zhvillimit të qendrueshëm të vendit’, thotë eksperti i ekonomisë Preçi. Në progres-raportin e Komisionit Europian thuhet se, ligji për paketën e maleve ‘mund të sjellë pasoja për pëdorimin lokal të tokës dhe menaxhimin mjedisor’

Aplikimet

Deri më tani numri i lartë i aplikimeve për të ndërtuar në toka shtet që pretendohet se shfrytëzohet nga individë dhe familje të ndryshme është mjaft e lartë.

‘…ligji trajton poseduesin e pronës dhe nuk parashikon çdo individ që ka një plan biznesi, të ketë mundësi të përfitojë pronë publike’, thotë Agjencia Për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Një pjesë e madhe janë shtrirë në zona bregdetare dhe kodrinore.

Edhe pse nisma është në fazat e para, shqetësimi mbetet se nëpërmjet ‘Paketës së Maleve’ fluksi i ndërtimeve në zonat bregdetare dhe kodrinore, përfshi edhe kryeqytetin të jetë i madh. Me zgjerimin e fushës së veprimit të këtij ligji, deklaratën e kryeministrit Edi Rama të një viti më parë do ta kategorizojmë si pjesërisht të vërtetë./ Faktoje.al