Ballina Opinion Paqja Fiskale është Kali i Trojës për uljen e taksave të kullave...

Paqja Fiskale është Kali i Trojës për uljen e taksave të kullave dhe resorteve

76
0

Nga Klodian Tomorri

Një projektligj i propozuar nga qeveria si pjesë e paketës fiskale krijon një shteg të madh për uljen e taksave të bizneseve që ndërtojnë kulla apo resorte me vila. I pagëzuar me emrin “Marrëveshja e Paqes Fiskale” drafti ndryshon formulën e tatimit mbi fitimin bazuar në një marrëveshje mes biznesit dhe administratës tatimore.

Më konkretisht, bizneset të cilat paradeklarojnë në Tatime se vitin pasardhës do të kenë një fitim mbi 18 për qind më të lartë se sa fitimi i vitit ekzistues kanë të drejtë të hyjnë në marrëveshje me Tatimet dhe ndaj tyre do të zbatohet një normë tatimi me dy fasha. Për fitimin ekzistues dhe shtesën 18 për qind, shkalla e tatim fitimit do të jetë 15 për qind, sa është për të gjitha bizneset. Por për cdo qindarkë fitimi mbi shtesën 18 për qind, atëhera tatimi mbi fitimin ulet në 5 për qind.

Një shembull konkret ilustrimit. Një biznes ka realizuar 100 lekë fitim në vitin 2025. Në 1 janar deri në 31 mars të vitit 2026 ai hyn në platformën e tij të taksave dhe i bën kërkesë Administratës Tatimore për të lidhur marrëveshjen e Paqes Fiskale. Administrata i kthen përgjigje po në platformë duke i çuar marrëveshjen e Paqes.

Pasi biznesi e pranon marrëveshjen përmes nënshkrimit elektronik, ai merr përsipër që për vitin 2026 të deklarojë minimalisht 118 lekë fitim, i cili do të taksohet me shkallën 15 për qind të tatim fitimit. Por çdo lekë fitim mbi shifrën 118 lekë do të taksohet me 5 për qind.

Për shembull, një biznes që e ka patur fitimin 100 lekë në vitin 2025 dhe hyn në marrëveshje me Tatimet, nëse për vitin 2026 realizon 200 lekë fitim atëherë ai do të paguajë (118 lekë x 15 për qind) + (82 lekë x 5%)= 17.7 lekë + 4.1 lekë= 22.1 lekë. Rrjedhimisht shkalla efektive e tatim fitimit për këtë biznes bëhet 10.6 për qind nga 15 për qind që është për të tjerët.

Nëse i njëjti biznes nuk do të kishte hyrë në marrëveshje me tatimet atëherë për fitimin 200 lekë ai do të paguante 30 lekë tatim ose 7.9 lekë më shumë se biznesi që hyn në marrëveshje.

Në pamje të parë formula ngjan si një lojë bixhozi. Për pjesën dërrmuese të bizneseve, fitimi luhatet pak a shumë në të njëjtat nivele me ritme normale rritje. Kështu që të marrësh përsipër të paradeklarosh minimalisht 18 për qind rritje fitimi për vitin pasardhës mund të jetë vetvrasje financiare. Por djalli qëndron në detaje.

Ka një kategori biznesesh, të cilat kanë hapësirë dhe mundësi të shpërndajnë në kohë fitimet e tyre. Këto janë kullat dhe resortet e mëdha me vila.

Ndërtuesit e kullave apo resorteve mund të alokojnë fitimin në kohë si të duan. Për këtë kanë dhjetra rrugë, nga manovrimi me kohën e bërjes së kontratave të shitjeve deri tek ndryshimet e planit të pagesave nga klientët.

Pra ata e kanë të mundur të deklarojnë 100 lekë fitimin vitin e parë, 200 lekë vitin e dytë e kështu me radhë. Kjo është një mundësi që nuk e ka një market, një fermë bujqësore apo çfarëdo biznesi tjetër.

Paqja fiskale është në fakt një kalë troje për të ulur taksat për biznesmenët e preferuar të qeverisë. Këta janë ndërtuesit e kullave, komplekseve të pallateve dhe resorteve të bregdetit.

Dhe koha do ta vërtetojë që ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj të Paqes. Ndërsa gjithë të tjerët do të duhet të ngrohen me fjalët e Diellit të Diellës./KAPITALI