Ballina Ekonomia Qeveria për paketën fiskale: Nuk ka taksa të reja dhe nuk ka...

Qeveria për paketën fiskale: Nuk ka taksa të reja dhe nuk ka rritje taksash

40
0

Zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj deklaroi në rubrikën “Përballë lajmit” në Klan News, se paketa e re fiskale është një politikë e cila nuk ka as taksa të reja dhe as rritje taksash për qytetarët dhe bizneset, por vetëm një sërë reformash që synojnë formalizimin e ekonomisë.

“Nuk ka taksa të tjera dhe nuk ka rritje taksash. Të gjitha elementet e paketës fiskale që po diskutohen në mënyrë të vazhdueshme edhe me Komisionin Europian, janë të të gjitha risi që kanë të bëjnë me hapësirën dhe me stimuj për individët. Ka një nismë për rivlerësimin e pronave për individët që duan të shesin pronat, po ashtu edhe një risi për të ulur paratë cash në ekonomi dhe për të stimuluar pagesat elektronike.
Përsa i përket paqes fiskale, detyrimet tatimore të para dhjetë viteve falen, detyrimet tatimore të shkaktuara në periudhën pesë deri në dhjetë vjet mund të pësojnë një reduktim nëse paguhen në brenda një periudhe në caktuar, e njëjta gjë ndodh edhe me detyrimet e shkaktuara nga një deri në pesë vjet më përpara. Gjithashtu ka edhe një element tjetër për sipërmarrjet që duan të deklarojnë një fitim 18% më të lartë se viti i kaluar, çdo fitim përtej këtij kufiri do të tatohet me 5%. Pra, është një mënyrë për të nxitur individët të deklarojnë të ardhurat e tyre” u shpreh Yzeiraj.

Zëvendësministri i Financave u ndal edhe tek rritja e pagës minimale: “ne synojmë që të kemi një pagë minimale prej pesëqind euro, duke filluar që nga janari 2026-ës dhe shpresojmë që deri në fund të këtij mandati kjo pagë të shkojë në shtatëqind euro, pra paga minimale në Shqipëri të jetë shtatëqind euro, qoftë për punonjësit e sektorit publik, qoftë për ato në sektorin privat. Ky është edhe një element shtesë që ndihmon shtresat në nevojë, ata që janë të angazhuar në profesione të vështira, prandaj ky është një buxhet i cili ka në fokus mirëqenien sociale”.