Ballina Europë Suedia në alarm / Mbi 17,500 anëtarë aktivë në rrjetet kriminale, shumica...

Suedia në alarm / Mbi 17,500 anëtarë aktivë në rrjetet kriminale, shumica në struktura të mirëorganizuara

77
0

Suedia, një vend me një popullsi prej 10.6 milionë banorësh, po përballet me një situatë alarmante sa i përket krimit të organizuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Policia Kombëtare, në vend ka rreth 17,500 anëtarë aktivë të rrjeteve kriminale, ose afërsisht dy kriminelë për çdo 1,000 banorë. Përveç tyre, rreth 50,000 persona të tjerë kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me këto struktura.

Prej më shumë se një dekade, vendi nordik po lufton me rritjen e dhunës së lidhur me bandat kriminale. Të shtënat me armë dhe sulmet me bomba janë bërë pothuajse të përditshme, ndërsa përplasjet midis grupeve rivale dhe tregtia e drogës vazhdojnë të përshkallëzohen.

Sipas raportit të policisë, qeveria kishte kërkuar një pasqyrë të plotë mbi gjendjen e krimit të organizuar, pas një raporti paraprak të vitit 2024 që kishte vlerësuar numrin e anëtarëve në 14,000. Shefja e Policisë Kombëtare, Petra Lund, në një konferencë për shtyp sqaroi se metoda e llogaritjes është ndryshuar, çka ka ndikuar në shifrat e reja.

“Nuk kemi një tregues të qartë të një rritjeje apo uljeje të aktivitetit kriminal, megjithatë shifrat e këtij viti duken më të larta,” tha Lund. “Kemi përdorur kritere më të rrepta për të përcaktuar se cilët individë konsiderohen aktivë.”

Ajo shtoi se “rrjetet kriminale dhe personat e lidhur me to janë jashtëzakonisht të shumtë dhe përfshijnë struktura të mirëorganizuara”.

Qeveria e djathtë e kryeministrit Ulf Kristersson, e cila mori pushtetin në vitin 2022 me premtimin për të luftuar krimin, ka ndërmarrë një sërë masash të reja. Këto përfshijnë rritjen e kompetencave të policisë, uljen e moshës së përgjegjësisë penale nga 15 në 13 vjeç, si dhe krijimin e njësive të posaçme paraburgimi për të mitur.

Statistikat e fundit tregojnë se, ndonëse numri i të shtënave fatale është ulur, shpërthimet me eksplozivë janë shtuar ndjeshëm.

“Policia nuk mund ta zgjidhë e vetme këtë problem,” përfundoi Lund, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të gjerë institucional dhe social.