Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se zv/kryeministrja Belinda Balluku, e pandehur aktualisht nga SPAK për tunelin e Llogarasë, duhet të ishte dorëhequr.
Në të kundër ajo duhet të ishte shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, por aktualisht nuk ka ndodhur asnjë prej këtyre dyjave, edhe pse ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës menaxhon gjysmën e buxhetit.
“Sa i përket zonjës Belinda Balluku, ajo është e pandehur në SPAK dhe menaxhon gjysmën e buxhetit shqiptar, bashkë me personat e tjerë të pandehur që menaxhojnë këtë buxhet. E thamë që në momentin e parë që zv/kryeministrja duhet të kishte dhënë dorëheqje, nëse jo nga ajo, të bëhej nga kryeministri, ta kishte shkarkuar”, u shpreh Tabaku për “News 24”.
Deputetja demokrate shtoi se kemi një dosje me aferë korruptive me numrin dy të qeverisë të pandehur dhe asgjë nuk ndodh. Ajo ngriti paradoksin se edhe ish-zv/kryeministri ëhstë në kërkim, por qeveria vijon pa marrë asnjë masë.
“Nuk di çfarë të them, kemi një bilanc të tillë me qeverinë ku ish-zv/kryeministri është në kërkim dhe zv/kryeministra aktuale është e pandehur për tenderin korruptiv 50 mln euro në tunelin e Llogarasë. Më gjej një qeveri tjetër në botë apo Evropë me këto rrethana dhe unë nuk flas më”, tha ajo.







