Përgjatë këtij viti kalaja e Gjirokastrës është vizituar nga rreth 300 mijë turistë ndërkohë që ky monument ka gjallëri edhe në stinën e vjeshtës. Turistë të huaj por edhe vendas shfrytëzojnë motin e qëndrueshëm të këtyre ditëve për të prekur nga afër historinë dhe vlerat e kështjellës së gurtë.
“Është interesante të vizitosh Gjirokastrën në vjeshtë, aktualisht nuk është nxehtë dhe nuk ka shumë turistë këtu dhe me të vërtetë është këndshëm, edhe kjo kështjellë është e bukur ndërsa po më tërheq arkitektura dhe mënyra e ndërtimit të saj”, u shpreh turisti.
Një tjetër turiste thekson se stina e vjeshtës është periudhë tërheqëse për të vizituar Gjirokastën.
“Mendoj se kjo periudhë vjeshte është me të vërtetë tërheqëse për të vizituar Gjirokastrën, kishim disa ditë pushime dhe udhëtuam nga Spanja për të vizituar qytetin dhe këtë kështjellë, është një vizitë e këndshme sepse nuk ndeshim rrëmujën e turistëve të verës, po ja kalojmë bukur”, tha ajo.
Pjesë e guidës së vjeshtës në kalanë e Gjirokastrës janë edhe aktivitetet kulturore dhe artistike që tërheqin turistët. Drejtor DRTK Gjirokastër, Ardis Duka u shpreh se aktivitetet e organizuara në kala janë të rëndësishme.
“Këto aktivitete të cilat zhvillohen në kala por edhe në qytetin e Gjirokastrës janë shumë të rëndësishme për të gjallëruar gjatë gjithë periudhës të vitit vizitueshmërinë e këtij qyteti sepse ne kemi një fluks të lartë vizitorësh nga muaji maj deri në muajin tetor ndërkohë që në muajt e tjerë numri është më i pakët por siç duket këtë vit ka një trend përmirësimi sepse numri i vizitorëve vazhdon të ngelet konstant për periudhën ku ndodhemi”, tha ai.
Kalaja e Gjirokastrës është një prej monumenteve të trashëgimisë historike dhe kulturore me vlera të veçanta për vendit tonë dhe më gjerë.







