Ballina Aktualitet Betoni që burgos Tiranën: kur zhurma, korrupsioni dhe makineritë pushtojnë çdo hapësirë

Betoni që burgos Tiranën: kur zhurma, korrupsioni dhe makineritë pushtojnë çdo hapësirë

80
0

Prej kohësh Tirana është në një konflikt të madh ndërmjet ndërtimeve që po e shfytyrojnë çdo ditë, zhurmës, rrëmujës dhe pisllëkut që krijohet nga ndërtimet si rrjedhojë e dhënies së lejeve pa një plan paraprak të zonës, dhe ngushtimit të hapësirës, dritës e frymëmarrjes për banorët e saj, që tashmë ngjajnë të mbyllur si në burgje vertikale. Kësaj i shtohet dhe kujdesi i pakët për kushtet e sigurisë teknike si për punonjësit e ndërtimit ashtu edhe banorët. E gjithë kjo rrëmujë dhe i gjithë ky rrezik të përplaset në fytyrë çdo ditë të lume në këtë qytet, pa ndalim.

Betoni që burgos Tiranën: kur zhurma, korrupsioni dhe makineritë

 

E njëjta pamje u shfaq edhe këtë të shtunë në mëngjes në një nga rrugicat që lidhin rrugën e Kavajës me rrugën Myslym Shyri, shumë afër qendrës së Tiranës. Rrugica, dikur me banesa private me gjelbërim dhe e paqtë, ka një çerekshekulli që është shndërruar në kantier ndërtimi. Çdo pallat i ngritur në të e shëmton përditë e më shumë rrugicën nga ndërtimi pa plan dhe pa estetikë. Por sigurisht nuk mund ta ndalojmë „zhvillimin ndërtimor“, industrinë kryesore në vend që ka prodhuar shumë të ardhura për buxhetin e shtetit e të bashkisë dhe që ka ushqyer korrupsionin shtetëror.

Betoni që burgos Tiranën: kur zhurma, korrupsioni dhe makineritë

Rrugica dallon nga të tjerat, sepse në të ndodhet një treg fshatar që të kthen në paqtimin e këndshëm mes një shitësi që me theksin e ëmbël të „katunorit të Tironës“ të reklamon produket e veta si më të mirat në botë. Dhe i ble me kënaqësi edhe kur e di që mund të mos jetë ashtu, sepse të pëlqen kujdesi dhe mirësia që tregon shitësi me klientin e tij. Kjo paqje të prishet kur ndërhyn dhunshëm një betonierë, me volum sa vetë gjerësia e rrugicës dhe me peshë sa të shkërrmoqë çdo gjë anash saj. Pamjet e betonierës në këtë rrugicë pazari, ditën e pushimit, të shtunë në mëngjes, dhe shqetësimi e alarmi që u krijua te të gjithë qytetarët e pranishëm, si dhe bllokimi që iu bë jo për pak kohë çdo aktiviteti, janë treguesi tipik i dhunës që ushtron simbioza korruptive pushtet-ndërtues mbi mirëqenien e qytetarëve. Të gjithë jemi nën pushtetin burgosës të betonit dhe makinerive të tij!/vna