Ballina Ekonomia Detyrimet e prapambetura të Qeverisë u rritën me 48.5% në shtator, edhe...

Detyrimet e prapambetura të Qeverisë u rritën me 48.5% në shtator, edhe pse buxheti po “shpërthen” nga suficiti

58
0

Detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore kanë shënuar një rritje të ndjeshme në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025, pavarësisht faktit që buxheti i shtetit ka rezultuar me suficit për shkak të mosrealizimit të investimeve publike.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të shtatorit, detyrimet totale të prapambetura në nivel qendror dhe vendor arritën në 12.67 miliardë lekë, nga 9.93 miliardë lekë në qershor — një rritje prej rreth 27.6% brenda tre muajve.

Në këtë total, qeveria qendrore zë pjesën më të madhe, me 7.3 miliardë lekë, kundrejt 4.9 miliardë lekë në qershor, çka përfaqëson një rritje të fortë prej 48.5% vetëm në këtë segment.

Investimet e pashlyera, kategoria me rritjen më të madhe

Në strukturën e detyrimeve, pjesën më të madhe të rritjes e kanë gjeneruar projektet e investimeve, ku detyrimet e pashlyera janë më shumë se dyfishuar – nga 1.8 miliardë lekë në qershor në 4.26 miliardë lekë në shtator. Kjo përbën një rritje prej 131%, duke reflektuar qartë shtyrjet dhe vonesat në pagesat e kontratave publike.

Rritje të ndjeshme janë vërejtur gjithashtu në zërin e mirëmbajtjes, ku detyrimet janë rritur me 72%, si dhe në shërbime, me një rritje prej mbi 30%. Ndërkohë, detyrimet për vendime gjyqësore janë zgjeruar lehtë me rreth 1.6%, ndërsa ato për rimbursimin e TVSH-së kanë mbetur të pandryshuara.

Bashkitë ulin detyrimet, pas paralajmërimit të Ministrisë së Financave

Në kontrast me qeverinë qendrore, pushteti vendor ka arritur të ulë detyrimet e prapambetura gjatë së njëjtës periudhë. Kjo vjen pas paralajmërimit të Ministrisë së Financave, e cila u kishte dhënë bashkive afat deri më 20 korrik për të paraqitur planet e shlyerjes dhe për të frenuar akumulimin e borxheve të reja. Një pjesë e bashkive kanë ndërmarrë masa korrigjuese, duke reduktuar gradualisht stokun e detyrimeve të prapambetura.

Një nonsens fiskal: detyrimet rriten, ndërsa buxheti mbetet me suficit

Paradoksi më i madh që ngre ky bilanc fiskal është fakti që detyrimet e pashlyera janë rritur në mënyrë domethënëse në një periudhë kur buxheti i shtetit vijon të rezultojë me suficit. Thënë ndryshe, para ka, por ato nuk shpenzohen. Kjo tregon se pavarësisht burimeve të disponueshme, zbatimi i projekteve publike ka qenë i ngadaltë dhe pagesat për kontratat ekzistuese janë shtyrë në muajt në vijim. Rritja e detyrimeve të prapambetura, veçanërisht në zërin e investimeve, përbën një sinjal alarmi për menaxhimin e ekzekutimit buxhetor dhe për disiplinën fiskale të institucioneve qendrore. (ekofin)