Ballina Sport Guardiola drejt rekordit historik: Më mungon Klopp

Guardiola drejt rekordit historik: Më mungon Klopp

62
0

Pep Guardiola është vetëm një hap larg një prej arritjeve më të mëdha në historinë e futbollit – 1.000 ndeshje të drejtuara si trajner.

Fati ka dashur që ky moment historik të vijë pikërisht në supersfidën ndaj rivalit të tij më të madh, Liverpoolit të Jurgen Kloppit.

Trajneri katalanas ka ndryshuar mënyrën se si shihet futbolli modern, duke kombinuar lojën e bukur me rezultate të jashtëzakonshme gjatë një karriere që zgjat tashmë 18 vite.

Me Barcelonën, Bayern Munich dhe Manchester City, Guardiola ka fituar plot 40 trofe, mes tyre tre Liga të Kampionëve, gjashtë tituj të Premier League-s dhe tre kampionate spanjolle.

Por përtej trofeve, ndikimi i tij ka qenë i thellë në mënyrën se si luhet futbolli: nga “Tiki-Taka” me Barcelonën, tek eksperimenti i Messit si “nëntë i rremë”, shndërrimi i John Stones në mesfushor gjatë sezonit të tripletës me Cityn, apo përdorimi i Lahm dhe Cancelo si mbrojtës që futen në mesfushë.

Në konferencën për media para ndeshjes kundër Liverpoolit, Guardiola u shpreh me emocion për arritjen e tij.

Arritja e 1.000 ndeshjeve si trajner është diçka shumë e veçantë për mua. Kur fillova me Barcelonën B, nuk e imagjinoja kurrë se do të arrija deri këtu. Kam qenë me fat që kam punuar në tre klube të jashtëzakonshme – Barcelona, Bayern Munich dhe Manchester City – me mbështetje të plotë. Jam shumë krenar për karrierën time dhe nuk do të ndryshoja asnjë moment”, tha ai.

Guardiola shtoi se ky përvjetor merr edhe më shumë peshë për shkak të kundërshtarit.

“Nëse do të më duhej të zgjidhja një rival për këtë ndeshje, nuk mund të kishte më të mirë se Jurgen Klopp. Ai më ka bërë të mendoj, të punoj dhe të përmirësohem çdo herë që jemi përballur. Më mungon, sepse më ka shtyrë të jap më të mirën time”, theksoi strategu spanjoll.

Me këtë ndeshje simbolike, Guardiola jo vetëm që hyn në një klub ekskluziv trajnerësh me mbi 1.000 bankina, por edhe forcon trashëgiminë e tij si një nga mendjet më të ndritura që ka parë ndonjëherë futbolli modern.