Nga Elton Qyno
Tenderat e prokurorisë së Posaçme me vlerë mijëra dhe miliona euro, ka të dhëna dhe indicie të forta që janë të trukuar dhe klientelistë.
Pasi në shumë raste garat ekonomike anullohen dhe rihapen sërisht deri në fazën kohore që të krijon dyshimin e paracaktimit të tyre tek klientët e pëlqyer nga sipër.
Praktikat e prokurimit të SPAK, hapen dhe më pas anullohen jo vetëm 1 herë, por ndodh që ka shumë raste që anullohen 2 dhe deri 3 herë, derisa është zgjedhur kompania fituese dhe zyrtarizohet më pas e gjitha praktika e lidhjes së kontratës.
Një format ky hape-anulloje, që praktikohej më së miri nga Ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe ish-drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar (ARRSH) Evis Berberi, derisa krijoheshin të gjitha kushtet për paracaktimin e fituesit në tavolinën e prapaskenës.
Tashmë dy personat mësipërm janë marë të pandehur nga SPAK pikërisht për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankandeve publike”, pasi prokuroria e posaçme zbuloi përmes telefonave prapaskenën e këtyre tenderave që hapeshin dhe më pas anulloheshin.
Por në rastin e Belindës ishte SPAK-u që dokumentoi këtë dukuri tashmë të njohur gjerësisht në publik si skemë korrupsioni. Por në rastin e tenderave të SPAK, kush do jetë instrumenti që do kontrollojë skemën e dyshimtë tenderuese hape-anulloje.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se tenderi i rradhës që SPAK ka hapur, anulluar dhe më pas rihapur sërisht është ai me vlerë 800 mijë euro për ndërtimin e një parku të prodhimit të energjisë Fotovoltaike, i cili është projektuar të bëhet në taracën e institucionit të SPAK dhe BKH-së.
Tenderi në fjalë fillimisht është hapur në muajin Korrik dhe në datën 19 Gusht 2025, njësia e prokurimit në SPAK ka njoftuar mbylljen e praktikës së këtij tenderi. Ndërsa në datën 27 Gusht 2025, SPAK ka njoftuar anullimin përfundimisht të tenderit në fjalë. Një format hape-anulloje që haset shpesh në praktikat tenderuese të prokurorisë së posaçme SPAK.
Por në 4 nëntor 2025, SPAK-u ka vendosur të rihapë sërisht garën tenderuese me objekt “F.V. Panele diellore për energji elektrike” duke ftuar zyrtarisht kompanitë e interesuara që të japin ofertat e tyre ekonomike deri në fondit limit prej 800 mijë euro. Sipas njoftimit, afati i përfundimit të dorëzimit të ofertave skadon në datën 14 nëntor 2025 dhe më pas do jetë njësia e prokurimit e SPAK që do marë vendimin sipas diretivave, nëse do anullojë sërisht tenderin apo do shpallë kompaninë fituese.
Ndërsa koha e ndërtimit do jetë brenda 60 ditëve. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të ndërtojë në tarracë një impiant fotovoltaik, me shpresën e krijimit të një burimi energjie elektrike që do vihet në përdorim të godinës. Investimi është llogaritur diku tek 800 milion lekë të vjetra, ku tashmë procedura tenderuese qëndron e hapur dhe pritet që në vijim të shpallet subjekti fitues, i cili do lidhë kontratën e shërbimit me SPAK me qëllim ndërtimin e impiantit.
Impianti, parashikon të ketë një fuqi jo më të vogël se 180 KËP, i cili do ndërtohet në tarracën e SPAK-ut dhe atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përmes këtij investimi SPAK, synon që në një farë mënyre të krijojë dhe një pavarësi energjitike. Në dokumentet e tenderit të Prokurorisë së Posaçme thuhet se: “…Kërkesa gjithnjë në rritje për energji e bën të domosdoshme rritjen e burimeve dhe kapaciteteve prodhuese. Duke parë potencialin që ofron vendi ynë për sa i përket vlerave të rrezatimit diellor si dhe nevojës për diversifikimin e burimeve gjeneruese, instalimi i impianteve FV duket një mundësi shumë e mirë për vendin tonë…”.
Për sa më sipër, në vijim edhe të miratimit paraprak, SPAK, synon të zhvillojë një impiant fotovoltaik për nevojat e veta në tarracën e këtij institucioni me fuqi të instaluar jo më e vogel se 180 KËP. Objektiv i përgjithshëm është diversifikimi i portofolit të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të saj. Qëllimi i kësaj kontrate është zhvillimi i projektit të instalimit të impiantit fotovoltaik diellor për sisteme të montuara në çati.







