Ballina Editorial Kush po ia kërkon Ramës “t’ia marrë shpirtin” Shqipërisë?!

Kush po ia kërkon Ramës “t’ia marrë shpirtin” Shqipërisë?!

71
0

Spartak Ngjela

Nuk është zgjidhje historike për ju dhe për familjet tuaja largimi nga Shqipëria, zgjidhja është të largohet kryeministri që po shpërbën shpirtin mijëra vjeçar të Shqiptarisë, ja kjo është zgjidhja!

Pse e vrisni mendjen se çfarë do të bëni nesër, kur këtë nuk e di as kryeministri juaj?

Asgjë nuk di kryeministri juaj dhe asgjë nuk kanë ditur për tregun dhe për shtetin dhe për zhvillimin shoqëror, as kryeministrat e tjerë që kanë kaluar në Shqipëri që nga viti 1992..

Zhvillimi shoqëror i një shteti të pavarur është ngritja e mirëqenies së popullit të vet në mënyrë permanente.

Dhe prandaj sot Shqipëria është një vend i cili, për zhvillimin e saj, ne mund të shprehemi vetëm me një frazë:

Nga asgjëja në asgjë.

Por, a e kuptoni se kjo asgjë e madhe po i dëbon shqiptarët nga Shqipëria?!

E kuptoni ju se pa Shqipërinë, si shqiptarë që jemi, nuk mund të kemi asgjë?

Po pse qëndroni kaq indiferentë për vendin tuaj dhe dëgjoni fjalët pa krejt lidhje logjike të kryeministrave tuaj?

Nuk e kuptoni që kundërshtarët shekullorë të shqiptarëve po paguajnë që ne shqiptarët të largohemi nga Shqipëria, sepse këtë po e kërkon prej shekujsh Beogradi dhe Moska?

Kurse ju po qëndroni indiferentë dhe po kërkoni të largoheni nga Shqipëria.

Por, a e dini ju se pa forcën shpirtërore të atdheut, çdo njeri i kësaj kohe është një individ me shpirt të copëtuar?

Nuk është zgjidhje historike për ju dhe për familjet tuaja largimi nga Shqipëria, zgjidhja është të largohet kryeministri që po shpërbën shpirtin mijëra vjeçar të shqiptarisë, ja kjo është zgjidhja!

Ende nuk po e kuptoni se Shqipërinë në tre dekada po e drejtojnë ata që paguhen që Shqipëria të shpopullohet nga shqiptarët?

Nuk po e kuptoni se në fjalimet e kryeministrave të Shqipërisë nuk keni dëgjuar dot asnjë fjalë për përkrahjen e shqiptarëve dhe asnjë fjalim ku të jetë përcaktuar me forcë profesionale rruga e rikrijimit të Shqipërisë moderne?

Dhe Shqipëri moderne do të thotë që ajo të jetë një vend i industrializuar, por edhe me një bujqësi të nivelit të Bashkimit Evropian dhe njëherësh, edhe me një arsimi të nivelit të Evropës Perëndimore.

Ende nuk e keni mësuar që me paratë e Beogradit, në vitet 1992 – 1996 u shkatërruan në Shqipëri 500 uzina dhe fabrika, që shqiptarët i kishin ndërtuar me mund, me djersë dhe me gjak?

Asgjë nuk kemi parë deri tani për zhvillimin e Shqipërisë, dhe pikërisht për këtë kuptohet qartë se qeveritë në Shqipëri nuk i kanë drejtuar e nuk po i drejtojnë kryeministra që të jenë “skllevër” të interesit kombëtar dhe të patriotizmit arbëror.