Dy ditë më parë Kuvendi miratoi me 77 vota pro të mazhorancës projektligjin e shumëdebatuar “Për barazinë gjinore”. Të shumtë kanë qenë ata që kanë kritikuar këtë vendim mes tyre edhe komunitetet fetare.
Mes personave që nuk është dakord për miratimin e këtij ligji është edhe At Konstandin Prifti i Kishës Ortodokse në Vlorë.
Në një intervistë ai shprehet se para marrjes së vendimit Këshilli Ndërfetar kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për mosmiratimin e këtij ligji, duke theksuar se njohin vetëm konceptin burrë-grua.
“Ky ligj para se të miratohej, Këshilli Ndërfetar ku marrin pjesë Komuniteti Mysliman, Kisha Ortodokse, Kisha Katolike, Protesante dhe Komuniteti Bektashi kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për mosmiratimin e këtij ligji.
Kisha predikon gjithmonë burrë e grua, këta e kanë hequr dhe e kanë quajtur gjini. Ne si komunitet ortodoks nuk e pranojmë se Zoti tha burrë e grua. Nuk e di si është miratuar në Shqipëri, kur në vende të tjera nuk është miratuar”, tha At Konstandin Prifti.
Ndër të tjera ai thekson se ky vendim bie ndesh kur politikanët thonë se i respektojnë komunitetet fetare. Ndërsa për shoqërinë tonë është një skandal, pasi familja shqiptare është ndërtuar në bazë të vlerave dhe traditave.
“Është një skandal, jemi një vend me tradita dhe duhet t’i ruajmë këto tradita, si i kemi pasur. Çfarë familje do të ketë tani, këto shkatërrojnë atë që është ngritur, si do të shumohet dheu me këtë.
Vet vendosin, vet bëjnë dhe pastaj thonë se i respektojmë komunitetet fetare. Ky nuk është respekt për ne. Po humbasim ato që kemi ndërtuar me vite. Familja është e bekuar nga Zoti. Është turp për vendin tonë”, shtoi At Konstandin Prifti.







