Ballina Politika Rrëfimi i Pacollit për Aeroportin e Vlorës, reagon Agron Shehaj: Tregon mënyrën...

Rrëfimi i Pacollit për Aeroportin e Vlorës, reagon Agron Shehaj: Tregon mënyrën se si ndahen tenderat në mënyrë fiktive

68
0

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj, ka publikuar përmes një video në rrjetet sociale deklaratën e biznesmenit Behgjet Pacolli i cili ka zbuluar se si gara për ndërtimin e aeroportit të Vlorës ka qenë e paracaktuar në zyrat e qeverisë.

Deklarata e plotë e Agron Shehajt:

Është e pabesueshme ajo që tregon Pacolli në lidhje me si ka fituar tenderin dhe ka marrë koncesionin e aeroportit të Vlorës. Dëgjojeni me veshët tuaj, është e pabesueshme! Tani, Pacolli thotë që për aeroportin e Vlorës nuk është bërë një garë, nuk është bërë një tender por fituesi është vendosur në zyrën e Ballukut.

Ka qenë Balluku, ka qenë përfaqësuesi i kompanisë turke dhe Pacolli. Si fillim Pacollit i kanë ofruar vetëm 40% të kuotave dhe Pacollit nuk i ka ardhur mire.

Nuk i ka ardhur mirë edhe që Balluku i ka treguar kurrizin dhe ka vendosur të mos i thotë direkt “Po”, por ka kërkuar kohë për t’u menduar.

Pas disa orësh e ka marrë në telefon përfaqësuesi i kompanisë turke dhe i ka thënë që: “Shiko, ne e diskutuam dhe ti do marrësh 58% të kuotave se 2% do i marrë dikush tjetër dhe ne do marrim 40% te kuotave”.

Kjo është mënyra se si përcaktohen fituesit e tenderave në Shqipëri. Nuk ka asnjë garë. Çdo gjë është fiktive. Çdo gjë vendoset nga Balluku dhe nga kryeministri Rama. Kjo është çmenduria që ndodh në Shqipëri! Kështu vidhen paratë e qytetarëve shqiptarë përditë nga kjo qeveri e korruptuar.

Dhe ndërkohë që Balluku është e pandehur nga SPAK-u, Edi Rama vazhdon dhe e mban aty!