Ballina Politika Shëndetësia e Ramës: Në Facebook ka buxhet miliardësh, në Onkologjik mungojnë ilaçet

Shëndetësia e Ramës: Në Facebook ka buxhet miliardësh, në Onkologjik mungojnë ilaçet

102
0

Në një postim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se “për herë të parë, shteti do të financojë posaçërisht barnat e shtrenjta të trajtimit të kancerit”, duke shtuar se shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë që kalojnë këtë sëmundje do të jetë falas për të gjitha.

Por ndërsa kreu i qeverisë fliste për një “linjë të re financimi prej 15 milionë eurosh për barnat e onkologjikut” dhe për ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve deri në vitin 2030, pacientët me kancer vijojnë të përballen çdo ditë me mungesën e barnave jetike në spitalin Onkologjik të Tiranës.

“E pra, për herë të parë, hapim një linjë financimi nga buxheti i shtetit vetëm për këtë nevojë jetike, duke futur 15 milionë euro ekstra në shërbim të pacientëve të onkologjikut.  Për herë të parë, shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do të jepet i plotë për të gjitha dhe falas, ndërkohë Ministrja e shëndetësisë, e shpallur së fundi ndër 100 gratë më influente në mjekësinë botërore për çështjen e kancerit do të udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve për Shqipërinë, 2030. Një institucion i ri ekselence, i cili do t’i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin.

Ndërkohë, 4,600 mjekë, infermierë dhe farmacistë, si dhe 14,200 teknikë dhe laborantë, do të përfitojnë një rritje të re pagash, çka është edhe një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha, se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet dhe se Shqipëria 2030 do të bëhet vendi, ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu.

2026 është edhe viti i hyrjes së inteligjencës artificiale në shërbimin tonë shëndetësor, përmes një kompanie të përbashkët, që shteti shqiptar po krijon me një prej ekselencave të inteligjencës artificiale në shëndetësinë europiane, ndërkohë që, me financimet e siguruara nga fondet europiane, ne do të krijojmë ekosistemin dixhital të gatshëm për inteligjencën artificiale, duke hapur shtigjet e reja të diagnostikimit me imazhe të analizave parashikuese dhe të ndërveprueshmërisë në rang kombëtar të sistemit shëndetësor digjital në përputhje me axhendën digjitale të Bashkimit Europian”, deklaroi Rama në një video të shpërndarë në Facebook.

Përballë kësaj situate emergjente, Ministria e Shëndetësisë ka heshtur dhe nuk ka qenë transparente. Barnat bazë të kimioterapisë mungojnë, ndërsa familjarët detyrohen t’i blejnë ilaçet vetë në treg të zi me çmime marramendëse.

Në kontrast me premtimet për inteligjencë artificiale dhe partneritete ndërkombëtare, spitali Onkologjik në Tiranë vijon të jetë shembull i një sistemi që “funksionon në kufijtë e mbijetesës”./ Politiko