Ballina Politika “Shëndetësia po shkatërrohet”/ Shehu: Rama premton vetëm lojëra fjalësh, qytetarët vuajnë

“Shëndetësia po shkatërrohet”/ Shehu: Rama premton vetëm lojëra fjalësh, qytetarët vuajnë

83
0

Deputeti demokrat, Tritan Shehu ka reaguar sot pasi kryeministri Edi Rama njoftoi sot se buxheti për shëndetësinë në vitin 2026 do të jetë mbi 1 miliard euro.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehu akuzon Ramën se premtimet e tij janëv vetëm lojëra fjalës dhe jo realitet.

Shehu shton se me situatën e krijuar në vend, sektori i shëndetësisë po shkatërrohet, mjekët largohen dhe qytetarët vuajnë.

“Shëndetësia – Rama “premton” sot vetëm lojëra fjalësh, në realitet: varfëri edhe më e thellë

Duke menduar se njerëzit nuk dinë të llogarisin, ai mburret kur thotë se buxheti i shëndetësisë për vitin 2026 do të jetë 1 miliard euro.
Por më pas, me gjysmë zëri, pëshpërit, si për të mos u dëgjuar, se kjo shumë përfshin edhe pjesën e mbrojtjes sociale, që mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Nga llogaritjet del se vlera 1 miliardë euro përfaqëson rreth 3.8% të PBB-së për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Ndarja ndërmjet këtyre dy sektorëve është rreth 57% për shëndetësinë dhe 43% për mbrojtjen sociale.
Në realitet, kjo do të thotë se për shëndetësinë mbetet vetëm rreth 2.2% e PBB-së, duke rënë nën nivelin e vitit 2025, edhe pse përfshihen projektet PPP brenda.

Kështu, Shqipëria vazhdon të ketë buxhetin më të varfër për shëndetësinë në kontinentin evropian.

Edhe brenda kësaj shifre, Rama nuk sqaron nëse përfshihen kontributet direkte, që janë rreth 0.8% e PBB-së.
Shpresojmë të mos përfshihen, sepse ato nuk bëjnë pjesë në buxhetin e shtetit.
Por nëse përfshihen, atëherë buxheti real i shëndetësisë mbetet vetëm 1.4% e PBB-së, një nivel që përfaqëson varfëri afrikane.

Sipas OBSH-së, buxheti vetëm për shëndetësinë, për vendet me nivel ekonomik si Shqipëria, duhet të jetë jo më pak se 4% e PBB-së.
Ndërsa ne jemi e mbetemi shumë poshtë këtij niveli, pra, në kushte varfërie të thellë në financimin e shëndetësisë.
Dhe megjithatë, Rama mburret!

Por shifrat flasin vetë. Nuk ka vend për mburrje, vetëm për të ulur kokën me turp dhe për të pranuar dështimin.
Sepse shifrat janë kokëforta, objektive, dhe vlerësimet bëhen mbi bazën e përqindjeve të PBB-së.

Më keq nuk ka ku të shkojë: shëndetësia po shkatërrohet, mjekët largohen, qytetarët vuajnë”,-shkruan Shehu.