Ballina Kuriozitete T. rex adoleshent apo dinozaur krejt tjetër? Debati mbi nanotiranusin merr një...

T. rex adoleshent apo dinozaur krejt tjetër? Debati mbi nanotiranusin merr një kthesë të re

67
0

Pas dekadash debatesh të ashpra, studiuesit thonë se fosilet që dikur mendohej se i përkisnin një t. rex-i të ri në moshë, në fakt janë të një specieje tjetër, më të hollë dhe më të shkathët të tiranozaurëve.

Një nga çështjet më përçarëse të paleontologjisë lidhet me një tyrannosaurus rex adoleshent që vuan nga një krizë identiteti, dhe dy shkencëtarë pretendojnë se më në fund e kanë zgjidhur.

Në vitin 1942, studiues nga Muzeu i Historisë Natyrore të Cleveland-it zbuluan në Montana, në formacionin Hell Creek, kafkën e një teropodi të vogël. Pas klasifikimit të tij në vitin 1988 si një specie e re, nanotiranus lancensis, kafka ndezi një debat që ka zgjatur katër dekada: a janë këto fosile të tiranozaurëve të vegjël dhe të dobët thjesht një version adoleshent i frikshëm të t. rex-it, apo përfaqësojnë një dinozaur krejtësisht të ndryshëm?

Tani, pas analizimit të mbi 200 fosileve të tiranozaurëve, autorët e një studimi të ri shpallën se nanotiranusi ishte një dinozaur i shpejtë dhe i hollë që jetoi krah për krah me t. rex-in në vitet e fundit të sundimit të tij. Studimi u publikua më 30 tetor në revistën Nature.

“Nuk donim të vazhdonim debatin, por ta mbyllnim përfundimisht,” thotë Lindsay Zanno, paleontologe në Muzeun e Shkencave Natyrore të Karolinës së Veriut dhe bashkautore e studimit. “Vendosëm ta testonim këtë pyetje nga çdo kënd i mundshëm.”

Disa ekspertë të tjerë e kanë përgëzuar seriozitetin e studimit, duke thënë se mund të jetë pika e kthesës që e zgjidh më në fund këtë debat shumëvjeçar.

“Nuk lanë asnjë gur pa lëvizur, asnjë fosil pa ekzaminuar,” thotë Lawrence Witmer, paleontolog në Universitetin e Ohajos. “Rezultati i studimeve të tyre është i qartë dhe aq përfundimtar sa mund të jetë në paleontologji, nanotiranusi është i vërtetë.”

Të tjerë paleontologë, megjithëse e konsiderojnë të bindshëm rezultatin, paralajmërojnë se kjo mund të jetë vetëm kthesa më e fundit në sagën e nanotiranusit.

“Zbulimet e tyre, ashtu si studimet e mëparshme, paraqesin hipoteza. Ajo që duket si përgjigjja përfundimtare sot, mund të rrëzohet nesër me të dhëna të reja,” thotë Holly Woodward Ballard, paleohistologe në Universitetin Shtetëror të Oklahomës, e cila në një studim të mëparshëm mbi ritmet e rritjes së këmbëve të tiranozaurëve e kishte vendosur nanotiranusin në kategorinë e t. rex-it.

Dilema e dinozaurëve duelues

Në vitin 2020, Muzeu i Shkencave Natyrore i Karolinës së Veriut njoftoi blerjen e fosilit të famshëm 67 milionë vjeçar “Dinozaurët duelues”, një triceratops dhe një tiranozaur të vogël, të ruajtur në mënyrë të përkryer, të bllokuar si në një betejë për jetën. Disa shkencëtarë mendonin se tiranozauri ishte një t. rex i ri që ngordhi para se të arrinte formën e tij të rritur, ndërsa të tjerë besonin se ishte një nanotiranus.

Për herë të parë, fosili u bë i qasshëm për studiuesit, përfshirë Zanno-n, e cila ftoi James Napolin, paleontolog në Universitetin Stony Brook në Long Island, për ta studiuar atë.

Kur filluan analizën, “u bë shpejt e qartë se kishte shumë shenja paralajmëruese,” thotë Zanno, e cila është gjithashtu eksploruese e National Geographic. “Shumë gjëra nuk përputheshin me mënyrën se si mendojmë se duhet të rritet një t. rex, apo ndonjë kafshë tjetër.”

Krahët ishin një tregues kyç anatomik se diçka nuk shkonte. Ata ishin tashmë shumë më të mëdhenj se krahët e një t. rex-i të rritur.

“Nuk kishte asnjë mënyrë që gjatë rritjes këta krahë të bëheshin më të vegjël,” shpjegon Napoli.

Po ashtu, dinozauri kishte bisht më të shkurtër, këmbë më të gjata në krahasim me t. rex-in dhe më shumë dhëmbë në nofulla. Një skanim me CT tregoi se nervat kranialë dhe sistemi i frymëmarrjes ishin të ndryshëm nga ata të t. rex-it, dhe madje kishte një zgavër shtesë sinusale, shenja që formohen herët gjatë zhvillimit. Kjo do të thotë se tiranozauri nuk kishte gjasa të shndërrohej në një t. rex të rritur përpara se të ngordhte.

Pasi morën prerje shumë të holla të kockave, ata analizuan unazat e rritjes dhe zbuluan se kafsha ishte rreth 20 vjeç, pra, e pjekur, jo e re

“Nuk ka asnjë mënyrë shkencore për ta quajtur këtë t. rex,” thotë Napoli. Sipas tyre, ekzemplari duhet të identifikohet qartë si nanotiranus lancensis, e njëjta specie që ndezi debatin kur mori këtë emër në 1988-ën.

Edhe Woodward Ballard pajtohet se të dhënat tregojnë se ekzemplari ishte afër madhësisë së rritur, gjë që përbën “mbështetje të fortë” për ta quajtur atë nanotiranus.

Një pamje e re e një grabitqari parahistorik

Duke u bazuar në provat nga fosili “Dinozaurët duelues”, Napoli dhe Zanno ekzaminuan tiranozaurë në koleksione të SHBA-së, Kanadasë dhe Azisë. Ata identifikuan disa ekzemplarë që, sipas tyre, i përkasin nanotiranusit, përfshirë “Jane”-n e famshme në Muzeun Burpee në Illinois dhe specien e muzeut të Cleveland-it që u emërua në vitin 1988.

“Debati për nanotiranusin ka zgjatur për dekada, dhe shumica e shkencëtarëve mendonin se ishte një t. rex i ri,” thotë David Evans, paleontolog në Muzeun Mbretëror të Ontarios. “Ky studim i ri do t’i befasojë shumë njerëz.”

Rezultatet sugjerojnë se nanotiranusi ishte një grabitqar sa rreth gjysma e madhësisë së t. rex-it dhe vetëm një e dhjeta e peshës së tij trupore. Nëse t. rex, që peshonte rreth 8 tonë dhe arrinte mbi 12 metra gjatësi, ishte luani i kretakut të vonë, atëherë nanotiranusi, me rreth 700 kilogramë dhe 5.5 metra gjatësi, mund të ketë qenë si një gepard, i ndërtuar për shpejtësi, jo për fuqi.

“Që nga ky moment, fusha jonë duhet të nisë nga supozimi se nanotiranusi është një specie e vlefshme,” thotë Napoli. “Ka një bazë të gjerë kërkimesh që tani duhet të rishikohen.”

Nëse zbulohet se është e vërtetë, kjo do të ndryshojë mënyrën se si shkencëtarët e shohin grabitqarin më të famshëm të Tokës parahistorike dhe do të ofrojë njohuri të reja mbi mishngrënësit e tjerë që përshkonin peizazhin e Kretakut të vonë. Autorët shtojnë se rezultatet e tyre mund të çojnë gjithashtu në një rishikim të plotë të mënyrës se si t. rex rritej dhe zhvillohej. Disa prej teorive më të njohura, thonë ata, janë ndërtuar mbi supozimin se fosilet e nanotiranus-it përfaqësonin t. rex-in gjatë adoleshencës, një ide që kërkimi i ri mund ta përmbysë.

“Ende nuk jam gati të shpall çdo tiranozaur të vogël si nanotiranus. Disa prej tyre duhet të jenë t rex adoleshentë,” thotë Steve Brusatte, paleontolog në Universitetin e Edinburgut dhe Eksplorues i National Geographic, i cili ka argumentuar prej kohësh se nanotiranusi është thjesht një t. rex i ri. Por ai pranon se provat për ekzistencën e nanotiranusit janë shumë të forta.

“Është e mrekullueshme kur provat e reja tregojnë se disa prej bindjeve tona, përfshirë të miat si studiues i tiranozaurëve, mund të jenë të gabuara,” shton ai. “Kjo është shkenca, dhe me fosilet duhet të jemi gjithmonë të përulur përballë faktit se kemi në dorë mostra të pakta, pista të zbehta nga miliona vite më parë, dhe çdo zbulim i ri mund të përmbysë dijet konvencionale.”