Ballina Aktualitet TERMETI/ Lagjia e re në Spitallë ende me apartamente bosh, ndërsa familjarët...

TERMETI/ Lagjia e re në Spitallë ende me apartamente bosh, ndërsa familjarët jetojnë me qira

92
0

Në Spitallë të Durrësit, lagjja e re e ndërtuar për familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019 ende nuk është gati për banim. Edhe pse 85 pallatet e ndërtuara ofrojnë gjithsej 996 apartamente, shumë banorë vazhdojnë të jetojnë me qira, duke pritur që premtimi i strehimit të ri të bëhet realitet. Projekti, i financuar nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Qeveria Shqiptare, synon të strehojë rreth 4 mijë qytetarë, por për shumë familje kjo mbetet ende një shpresë e parealizuar.

Bashkim Gjika, një nga zërat më aktivë për të drejtat e të prekurve nga tërmeti, përshkruan situatën me përzierje shprese dhe zhgënjimi:

“Kam ardhur të shoh shtëpinë. Jemi rrugëve. S’kemi lekë të paguajmë qiranë aty ku jemi… Ndërtesa janë të mira, por nuk ka ujë, drita. Nuk ka çelësa, ndajnë nga 10 çelësa në ditë.”

Shqetësime të ngjashme shprehin edhe banorë të tjerë, të cilët kanë përjetuar vite të tëra pasigurie dhe mungesë mbështetjeje.

“Boll kemi vuajtur. Kemi tre vjet që nuk marrim as bonus, asgjë. Shyqyr që morëm çelësat. Duam të jetojmë si gjithë njerëzit,” tregon një tjetër banor.

Gjika thekson gjithashtu problemet në ambientet përreth, mungesën e dritave dhe ujit, dhe situatën e pazakontë që sheh sa herë që viziton lagjen:

“Shihni merimangat kudo. Ne flejmë në rrugë, ndërtesat rrinë bosh. Fondet aprovohen, paratë merren dhe humbasin rrugës.”

Nga Bashkia e Durrësit bëjnë me dije se shpërndarja e çelësave po vijon, dhe deri tani ato janë dhënë për mbi 400 familje, të cilat vijojnë më pas procedurat për kontratat individuale me OSHEE-në dhe Ujësjellës-Kanalizimet. Megjithatë, ata që presin ende kërkojnë që procesi të përshpejtohet. Për shumë familje, strehimi nuk është më një premtim, por një e drejtë e vonuar.